Kronikë

Dëshmitarët e Prokurorisë nuk dëshmuan asgjë për rastin “Vizat”

Dy dëshmitarë i ka ftuar Prokuroria Speciale në procesin gjyqësor, në rastin e njohur si “Vizat”, ku kryeprotagonist është Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ndonëse dëshmitarët e Prokurorisë ftohen për ta forcuar aktakuzën e për ta bindur trupin gjykues për implikimet e të akuzuarve në aferën penale, në këtë rast ka ndodhur e kundërta.

Për rreth një orë ka dëshmuar pronari i autosallonit “Prishtina”, Fevzi Cakaj. Ai nuk ka pranuar se procesi i pajisjes me vizë italiane për nënën e tij ka pasur ndonjë parregullsi.

“Me përgjegjësi morale dhe penale se asnjëherë nuk i është kërkuar nga Florian Petani asnjë favor dhe se ai e familja e tij nuk kanë pasur asnjëherë ndonjë problem për pajisje me vizë, e se ka ndodhur që u është dhënë vizë më gjatë se që kanë kërkuar”, ka t hënë Cakaj.

Mjeku Bajram Abdullahu po ashtu ka qenë dëshmitar në këtë seancë.

Ai ka thënë se për çështjen e vizave për fëmijët kishte biseduar me pacientin e tij, Florian Petani, ish-zyrtar i Ambasadës Italiane, që tashmë është i akuzuar, por sipas tij ai e ka ndihmuar vetëm me aplikim për vizë.

Njëjtë ka thënë se i ndihmojnë edhe në ambasadat e tjera

“Në shumicën e rasteve në zyrë, gjithçka kam pasur të njohshëm. Gjithmonë ka qenë dikush që më ka ndihmuar. Në çdo ambasadë gati”, është shprehur Abdullahu.

Avokatët e të akuzuarve nuk kanë replikuar fare me dëshmitarët. Ndërsa, prokurorja speciale, Florie Shamolli, ka provuar të ballafaqojë dy deklaratat e dëshmitarit, Fevzi Cakaj, për shkak të dyshimeve të saj se ka shpërputhje se kur është bërë krahasimi nuk ka rezultuar një gjë e tillë.

Aktakuza ka numër të madh të të akuzuarve, por për lehtësi të përfundimit të procesit të gjykimit është i ndarë në dy pjesë. Përveç Rugovës, pjesë e kësaj aktakuze janë edhe ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Izet Beqiri, Qefser Baholli, si dhe Florjan Petani. Ata po akuzohen për mashtrim me viza italiane.