Kronikë

Biznesmeni në Shqipëri kërcënon me vetëvrasje, shkak “konkurrenca e pandershme e linjave të autobusit me Kosovën”

Në orët e para të mëngjesit në skelat e Muzeut Kombëtar, një pronar linje ndërqytetëse i quajtur A.J. kërcënoi se do të vriste veten nëse kërkesat e tij nuk dëgjoheshin nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama.

A.J. pretendon se linjës së tij të autobusëve i është bërë konkurrencë e pandershme nga kompani të tjera, që e kanë çuar në falimentim të biznesit dhe përfshirjen e tij në borxhe.

Në vendngjarje ishte nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu, i cili bëri negociata për zbritjen nga skela dhe më pas shoqërimin e tij drejt komisariatit numër 3, ku u mor në pyetje dhe është proceduar në gjendje të lirë.

A.J. me mjetet e tij të transportit ka qenë i punësuar në kompaninë “Rilindi” shpk që sot e akuzon për krijimin e monopolit në treg, së bashku me një tjetër kompani “Driagona”. Në momentin kur vëllezërit e tij kanë marrë licencën për të vijuar veçmas aktivitetin e tyre, ata pretendojnë se kanë marrë gjoba dhe i është bllokuar puna në mënyrë të padrejtë nga policia rrugore dhe policia e Tropojës, duke përmendur edhe emra konkretë.

Vëllai i tij u shpreh se familja e tyre ka marrë edhe kërcënime me jetë nga R. H. dhe i biri administrator të kompanisë “Rilindi” në doganën e Kukësit, çështje e cila u dërgua ne Prokurorinë e Prizrenit dhe ku personat që kanosën u lanë në gjendje të lirë.

Sipas të vëllait, I. J., banka ka bërë kërkesë në Gjykatë për sekuestrimin e mjeteve te tyre, sepse nuk kanë paguar kreditë, ndërkohë që pretendon se vlera e mjeteve nuk i shlyen dot borxhet e tyre dhe vetëflijimi është parë si mundësia e fundit.

Ata shprehen se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës në Shqipëri, por vetëm nga Ministria e Transportit të Kosovës që i ka dhënë të drejtë për ankesat e tyre./ Top Channel