Një person është arrestuar në Malishevë nën dyshimin se kishte prodhuar dhe shitur diploma të falsifikuara, të cilat thuhet se ishin përdorur për të paraqitur kërkesa për viza pune në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës të enjten, informacioni për këtë rast ishte për periudhën janar-mars.
“Hetuesit filluan me verifikimin e vlefshmërisë së këtyre diplomave të cilat janë lëshuar nga një shkollë e mesme e lartë në Komunën e Prizrenit, pas verifikimit të vlefshmërisë hetuesit rajonal zbuluan se të gjitha diplomat ishin të falsifikuara. Me autorizimin e prokurorit hetuesit filluan grumbullimin e provave duke siguruar dëshmi për veprën penale falsifikim i dokumentit, në këtë kuadër u intervistuan persona të ndryshëm si dhe dëshmitarë të shumtë”, thuhet në njoftim të Policisë, që tutje thekson se është kryer një bastisje në një agjenci turistike në Malishevë ku janë gjetur diploma të të njëjtit format, të lëshuar në emër të institucionit shkollor “SHML nga Prizreni”.
Hetuesit kanë gjetur prova se këto diploma janë prodhuar dhe dhënë në këmbim të shumave të caktuara të parave.
Për rastin është ndaluar për 48 orë i dyshuari H.M., i lindur më 1961.