Kronikë

Arrestohet 22-vjeçari që inskenoi grabitjen pasi humbi paratë në bastore

Policia ka arrestuar një 22-vjeçar në Shtime, me dyshimin se inskenoi një grabitje ndaj tij.

Sipas njoftimit të Policisë, rajoni i Ferizajt, 22-vjeçari pasi kishte humbur paratë në bastore, kishte njoftuar Policinë se është grabitur në rrugën “14 Dhjetori” në Shtime me pretendimin se i janë marrë 350 euro. Rasti kishte ndodhur të hënën, ndërkohë që arrestimi i tij është bërë të martën.

“Hetimet e mëtejme kanë rezultuar me deklarimin në prani të avokatit mbrojtës si dhe pranimin në tërësi të inskenimit të rastit nga vetë ai me qëllim të arsyetimit para familjarëve për humbjen e parave në bastore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.