Gjykata e Apelit, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurve A.K dhe S.M. Kështu, Apeli i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 11.03.2021.
Sipas njoftimit, A.K. dhe S.M. po dyshohen nga ana e prokurorisë se kanë kryer veprat penale: “Falsifikimi i rezultateve të votimit” dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” .
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ka bazë ligjore për caktimin e masës së lartëcekur ndaj të pandehurve, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar ata kanë kryer veprat penale, për të cilat po dyshohen, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen e tyre në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale, të ndikojnë në prova ose dëshmitarë apo edhe ta përsërisin veprën penale.