Kronikë

Arrestohet i dyshuari për rastin e grabitjes në Fushë Kosovë

burg

Policia e rajonit të Prishtinës ka kryer një operacion të gjerë të mërkurën gjatë të cilit ka arrestuar një person të dyshuar për grabitje. Ky aksion është në vazhdën e masave dhe veprimeve policore që po ndërmerr Policia me qëllim parandalimin e rasteve kriminale si dhe kapjen e personave të dyshuar si autor të veprave të inkriminuara.

Rasti kishte ndodhur më 26.10.2020 në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, me ç’ rast nga personeli i një subjekti afarist, ishte grabitur një vlerë e konsiderueshme parash, përderisa po i transportonin ato për t’i deponuar në bankë.

31-vjeçari A.H është i arrestuari nga bastisja që ka ndodhur në orët e hershme në fshatin Shtedim të Podujevës.

Ndërlidhur me rastin policia ka sekuestruar edhe një automjet të llojit Pick-Up, i cili bazuar në rezultatet e hetimit të deritanishëm dyshohet të jetë automjeti i shfrytëzuar për ikje.

“Ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze si dhe ato operativo-policore në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për tu proceduar më tej”, thuhet në njoftimin e Policisë së rajonit të Prishtinës.