Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka thënë se turku Sedat Peker, që u arrestua të martën në Shkup, e që u dëbua drejt Kosovës, nuk ka shtetësi kosovare. Sipas MPB-së, Peker ka vetëm leje qëndrimi dhe se ai tashmë s’gjendet në Kosovë.
Të martën, mediat maqedonase raportuan për Pekerin që përshkruhet si udhëheqës i një grupi mafioz në Turqi. Sipas tyre, ai kishte pasaportë të Kosovës dhe ishte dëbuar drejt Kosovës.
Megjithatë, MPB-ja ka thënë se ai ka leje qëndrimi deri në dhjetor të 2021-s, por se sot ai ka dalë nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë.
“Ministria e Punëve të Brendshme ju njofton se pas raportimeve në disa media, rreth arrestimit të qytetarit turk, Sedat Peker nga autoritet e Maqedonisë Veriore dhe depërtimit të tij në Republikën e Kosovës, se shtetasi turk nuk është shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme mund të konfirmoj se personi në fjalë nuk posedon pasaportë kosovare, siç është raportuar, por i njëjti posedon vetëm leje qëndrimi të përkohshëm, në emër të një biznesi të regjistruar në Prizren, nga viti 2014 dhe të vlefshëm deri më 29/12/2021. Mund të ju informojmë se z. Peker, ka hyrë në Republikën e Kosovës në mënyrë të ligjshme me datë 18/01/2021 dhe ka dalë nga Republika e Kosovës në drejtim të Republikës së Shqipërisë me datë 20/01/2021”, thuhet në reagim të MPB-së.
Sipas të dhënave në Wikipedia, Peker ka shtrirje të gjerë kriminale në Turqi, Rumani, Gjermani dhe në vende të tjera. Ai është ndjekur e gjykuar për një sërë veprash, ndërkohë që llogaritet edhe si një prej udhëheqësve të organizatës së nëntokës “Ergenkon”. Peker ndër të tjera mbahet mend edhe për kërcënimin që u bëri akademikëve turq më 2016, kur tha se “do të lejojë që gjaku i juaj të rrjedhë dhe do të shikoj derisa të mbyteni në gjakun tuaj”. Kërcënimi i tij kishte të bënte me një peticion të akademikëve që kërkonin paqe.