Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor personin i cili e kishte sulmuar fizikisht gazetarin Valon Syla më 22 dhjetor.
Ai është akuzuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe është dënuar me gjobë në shumë prej 4,500 euro, të cilin obligohet ta paguajë brenda 15 ditësh.
Ndërsa, koha e kaluar në paraburgim, nga data 22.12.2020 deri me datë 06.01.2020, të akuzuarit B.J. do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.
“Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit mori parasysh rrethanat lehtësuese, si pranimin e fajësisë nga i akuzuari B.J., kërkim faljen dhe pendimin për kryerjen e veprës penale, ndërsa rrethanë rënduese mori rrethanat në të cilat është kryer vepra penale në vend publik dhe në prezencë të kalimtarëve të rastit, duke shkaktuar shqetësim në popullatë për veprimin e kryer ndaj dëmtuarit-gazetarit V.S. për shkak të shprehjes së mendimit të lirë përmes rrjeteve sociale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Në lagjen “Pejton” të Prishtinës, i akuzuari, i pakënaqur me shkrimet që gazetari kishte publikuar në Facebook rreth diapsorës, e kishte goditur Sylën duke i shkaktuar lëndime trupore, ndërsa rasti ishte xhiruar nga një kalimtar dhe po ashtu ishte shpërndarë në rrjete sociale.