Kronikë

Përleshje mes personelit mjekësor dhe disa personave në Spitalin e Prizrenit

Në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit janë përleshur tre persona dhe katër të tjerë nga personeli mjekësor. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës ku thonë se rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 22:10, ku njëri nga të dyshuarit është lënduar në Prishtinë dhe ka kërkuar ndihmë në Prizren. Ai raportohet se s’ka marrë trajtimin nga stafi dhe ka filluar fjalosja.

“Si pasojë e përleshjes lëndime të lehta trupore kanë pësuar edhe stafi mjekësor edhe të dyshuarit. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit njëri nga ta është dërguar në mbajtje ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin policor.

Për rastin ka reaguar edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili shkruan në Facebook se e dënon sjelljen ndaj personelit mjekësor, duke e quajtur sulmin si gjest të shëmtuar.

“E dënoj këtë sulm dhe çdo sjellje të pa dinjitetshme, e cila rrezikon integritetin fizik të personelit mjekësor. I ftoj organet e rendit që të vihen në mbrojtje të mantelbardhëve, ndërsa organet e drejtësisë që ta kryejnë detyrën e tyre shpejt”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.