Kronikë

Nën kërcënim të armës dhe thikës grabitet një institucion mikrofinanciar në kryeqytet

Një institucion mikrofinanciar në kryeqytet është grabitur mbrëmjen e së premtes nga disa të dyshuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një përgjigje për KOHËN tha se të dyshuarit ishin armatosur me armë dhe thikë, dhe nga aty kanë vjedhur para. KOHA gjithashtu ka kuptuar se bëhet fjalë për grabitje në një pikë të “Western Unionit” në rrugën Eqrem Qabej”.

“Kemi marrë informatë se në rrugën "Eqrem Qabej" në filialin e një institucioni mikrofinanciar ka ndodhur një grabitje, ku dyshohet se grabitësit nën kërcënimin e armës kanë arritur të marrin nga arka monedha të imta. Sipas informatave, njëri nga të dyshuarit në dorë ka pasur një armë të shkurtër dhe tjetri një thikë, kishin të veshura trenerka ngjyrë të mbyllur dhe maska anti-covid dhe kanë ikur në drejtim të Bregut të Diellit”, tha Hoxha.

Ai ka njoftuar gjithashtu se nuk ka të lënduar dhe se rasti po hetohet.

“Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe po merren me rastin”, njoftoi tutje Hoxha.

Mëngjesin e sotëm, ka ndodhur edhe një tjetër grabitje në bankomatin e një banke në Veternik.

Një polic, mbeti i plagosur gjatë aksionit për të kapur grabitësit.