Kronikë

Burgim të përjetshëm burrit nga Kamenica që me shufër vrau bashkëshorten

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar të premten me burgim të përjetshëm burrin që në korrik të këtij viti kishte vrarë bashkëshorten e tij duke e goditur me shufër.

Nuhi Mavroqani më 25 korrik kishte goditur për vdekje bashkëshorten, Sabilen, në shtëpinë e tyre në fshatin Berivojcë të Kamenicës.

Sipas aktakuzës, tragjedia ndodhi pas një mosmarrëveshjeje mes bashkëshortëve në shtëpinë e tyre. Sipas prokurorisë, Nuhiu me dashje ka vrarë gruan e tij me shufër metalike të një gjatësie 73 centimetra dhe të një trashësie 2.2 centimetra.

Edhe pasi e ndjera kishte rënë në tokë, sipas aktakuzës, Nuhiu kishte vazhduar ta godiste me shufër në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Përmes një komunikate për media, Gjykata Themelore ka thënë se s’kishte gjetur asnjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin, por vetëm rënduese “duke marrë parasysh prezencën e fëmijëve në ditën kritike, gjendja e të ndjerës dhe fëmija i porsalindur (një muajsh)”.