Një zyrtar korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë është suspenduar nga puna, dhe është iniciuar procedurë e brendshme disiplinore ndaj tij, pasi dyshohet për shpërndarje të lëndëve narkotike brenda Qendrës së Paraburgimit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se sot rreth orës 11:40, në bazë të informacioneve paraprake ka arritur të parandaloi futjen e substancës së dyshuar narkotike në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
“Me të pranuar informatat se një zyrtar korrektues dyshohet për shpërndarje të lendeve të dyshuara narkotike brenda Qendrës së Paraburgimit Prishtinë, menjëherë janë ndërmarr veprimet e nevojshme nga stafi përgjegjës i sigurisë, të cilët kanë lokalizuar vendin, provat materiale dhe zyrtarin e dyshuar. Lidhur me rastin janë njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e Policisë për intervistim. Po ashtu, policia ka konfiskuar substancën e dyshuar narkotike për ekzaminim të mëtejmë. Ndaj zyrtarit korrektues të dyshuar është ndërmarrë masa e suspendimit nga puna dhe me njëherë është iniciuar procedure e brendshme disiplinore”, ka njoftuar SHKK-ja.