Policia e Kosovës në angazhimet e saj të vazhdueshme në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë javës që po lëmë pas ka zhvilluar edhe operacione tjera që ndërlidhen me parandalimin dhe mbrojtjen nga veprimtaritë e ndryshme kriminale që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme, në veçanti shëndetin e të rinjve tanë.
Në këtë kontekst më 26 nëntor 2020 rreth orës 18:30, Policia e Kosovës për mbikëqyrje kufitare, rajoni Perëndimi, gjatë realizimit të detyrave operacionale, me rastin e vëzhgimit në teren, konkretisht në fshatin Vërmicë, nga largësia përmes pajisjeve (për vëzhgim gjatë natës) ka vërejtur lëvizje të dy personave të dyshuar të cilët lëviznin nga territori i Republikës së Shqipërisë në drejtim të Republikës së Kosovës.
Të dyshuarit në një largësi nga zyrtarët policor kanë hedhur dy çanta të zeza nga dora, dhe falë konfiguracionit të terrenit (malor) kanë arritur të ikin në drejtim të Shqipërisë.
Policia në të dy çantat e hedhura nga të dyshuarit ka gjetur disa qese të mbështjella që dyshohej të jenë substanca narkotike. Lidhur me to janë informuar njësitet kompetente të antidrogës në Prizren dhe forenzika për procedura të mëtejme.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar dy (2) çanta me ngjyre të zezë, ku brenda tyre kishte pesëdhjetë (50) paketime najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë me peshë totale prej njëzetë e tetë (28) kilogram e 686.8 gram.
Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “Blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope analoge” dhe hetime të mëtejme janë në proces.
Deri në këtë periudhë të vitit janë konfiskuar mbi 200 kg substanca narkotike të llojeve të ndryshme, përderisa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e rasteve të trafikimit dhe abuzimit me substanca narkotike.