Kronikë

I thyejnë zyrën dhe i vjedhin para, pronari kërkon të kapen hajdutët

Është raportuar në Policinë e Kosovës një vjedhje në kryeqytet.

Rasti ka ndodhur parmbrëmë, derisa sot janë lëshuar edhe videot ku shihen hajdutët.

Pronari i një zyre në rrugën “Ilir Konushevci”, (emër i njohur për redaksinë), ka treguar për KOHËN se i janë vjedhur një shumë parash, e që edhe ishin pazari i tij ditor.

Ai shtoi se ka kontaktuar edhe me policinë dhe kjo qe në vendin e ngjarjes. U ka kërkuar të kapen hajdutët. Sipas pronarit, policia ka marrë deklaratat e tyre dhe e ka regjistruar rastin.

KOHA ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e policisë në Prishtinë, Arlinda Rexhepin.

Ajo, pa dhënë ndonjë detaj, shkurt ka thënë se rasti është publikuar në raportin e PK-së.

“Rastet e ndodhura janë të publikuara në raport 24 orësh”, tha Rexhepi.

Në raportin e PK-së të po kësaj dite, nuk jepet tjetër detaj pos njoftimit se ka ndodhur vjedhja.

“Raportohet se persona të dyshuar kanë depërtuar me forcë në objekte, me ç’rast kanë kryer vjedhjen”, njoftoi policia.