Dy të rinj nga Prizreni janë vënë në pranga nga policia e Pogradecit në Shqipëri , pasi u kapën në flagrancë duke transportuar emigrantë të paligjshëm. Në pranga ranë L.O., 21 vjeç dhe F.S., 32 vjeç, banues në Prizren.
Të rinjtë u kapën në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar me mjetet tip “Volkswagen” dhe “Audi”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt Kosoves dhe me pas vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.
“Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore, Forcat Speciale “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve L.O. 21 vjeç dhe F.S., 32 vjeç, banues në Prizren, Kosovë. Shtetasit e mësipërm janë kapur nga shërbimet e Policisë në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar me mjetet tip “Volkswagen” dhe “Audi”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Emigrantët e parregullt të cilët mbërrijnë nga Greqia në Shqipëri gjenden shpesh në çdo rrugë të të këtij vendi duke lëvizur në kërkim të alternativave për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së.
Nga ana tjetër vijojnë përpjekjet e trafikantëve për të përfituar ekonomikisht nga kjo situatë, duke i transportuar klandestinët kundrejt pagesës drejt vendeve fqinje me Shqipërinë , ku ajo më kryesore është Kosova, me destinacion BE-në .
Katër të rinj nga Siria u janë dashur 7 ditë për të mbërritur nga Korça në Tiranë, ndërsa kërkojnë për ndonjë mjet për të udhëtuar drejt Kosovës.
“Kemi ardhur nga Turqia në Greqi, pastaj kemi ecur për 7 ditë me radhë. Kërkojmë të shkojmë në Kosovë, pastaj në Serbi dhe duam të shkojmë në Gjermani. Po kërkojmë për autobus për të ikur, familjet i kemi lënë në Siri”, shprehen të rinjtë sirianë.
Ndryshe nga të huajt e tjerë të rinjtë nga Siria thonë që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar transportin deri në kufi me Kosovën.
Të enjten policia në Shqipëri goditi tri raste në Korçë e Gjirokastër të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit për shtetasit e huaj. Në dy operacionet e policisë u arrestuan 6 persona teksa janë pikasur duke transportuar 15 shtetas të huaj të ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme. Ajo që vihet re është arrestimi i dy shtetasve nga Kosova L.O. dhe F.S. në Pogradec , të cilët kishin ardhur në Shqipëri për të transportuar klandestinë. Prania e madhe e shtetasve të huaj që hyjnë ilegalisht në Shqipëri u ngrit me shqetësim dhe në Parlament nga ana e deputetëve të opozitës. Çështja e emigrantëve të parregullt në Shqipëri u ngrit dhe në Parlament nga deputeti opozitës Halit Valteri, i cili i kërkoi qeverisë të ndërhyjë pasi në shumë raste janë kthyer në shqetësim për banorët në disa prej zonave urbane. “Ka mjaft qytetarë që po adresohen te ne, emigrantët e vendeve të lindjes janë bërë problem rrugëve të qyteteve, bëhen pjesë e grabitjeve, por edhe objekt trafikimi nga grupe të ndryshme, edhe pjesë e bandave në vendin tonë. Ministria e Brendshme të bëjë diçka për këta njerëz, ose ti mbledhë në një kamp, ose t’u mundësojë ushqim dhe veshmbathje, por nuk duhet ta lëmë në heshtje sikur po rri kjo çështje. Shtëpitë tona po rrezikohen nga këto grupe dhe jetët tona nuk janë të qetë sikur ishin para se të vinin në vendin tone”, deklaroi në parlament deputeti Halit Valteri. Prej vitesh Shqipëria pret me qindra refugjatë kryesisht nga Lindja e Mesme, që përdorin këtë vend si “trampolinë” për të depërtuar në vendet e BE. Pas futjes ilegalisht në Shqipëri refugjatët përfundojnë në Tiranë të ndihmuar nga grupet kriminale kundrejt pagesave për të udhëtuar më pas drejt Kosovës e Malit të Zi me destinacion përfundimtar vendet e BE-së. Kufiri Shqipëri-Kosovë shihet si kalimi i “artë” i emigrantëve nga Lindja e Mesme për të kaluar më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian. Edhe pse policia ka intesifikuar kontrollet në kufi për të parandaluar kalimin e tyre, emigrantët nga Lindja e Mesme vijojnë të kalojën grupe-grupe duke mundur të çajnë përmes kufirit të gjelbër. Policia e Kosovës por edhe e Kukësit kanë arrestuar shumë persona që tentojnë që të kalojnë ilegalisht refugjatët, por kjo nuk ka frenuar fluksin e emigrantëve të kalojnë kufirin Shqipëri-Kosovë. Vitin e shkuar, nga janari deri në shtator, janë kapur rreth 6 mijë emigrantë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti janë ndaluar rreth 9 mijë klandestinë.