Kronikë

Mbi 1,000 gjoba ndaj qytetarëve që nuk respektuan masat anti-COVID në 24 orët e fundit

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Për tri ditë radhazi, në Kosovë është regjistruar rritje e rasteve të gjobave ndaj qytetarëve që nuk kanë respektuar masat anti-COVID.

Policia e Kosovës, të shtunën ka njoftuar se ka shqiptuar 1,168 tiketa në bazë të ligjit COVID-19, në 24 orët e fundit. Dy ditë më parë, po ashtu policia ka shqiptuar mbi 1,000 gjoba.

Të premten janë shqiptuar 1,050 gjoba në bazë të ligjit kundër COVID-19, ndërsa të enjten ishin shqiptuar 1,073, raporton KOHA nga të dhënat e PK-së.

Rritja e numrit të gjobave po shënohet kur në Kosovë po shtohen rastet e reja me koronavirus. Deri tash, janë shënuar 16,606 raste pozitive dhe 652 raste të vdekjes.