12:04

Vdes edhe një shqiptar nga aksidenti i mbrëmshëm në Gjermani

Nga aksidenti i mbrëmshëm që ka ndodhur në Baden Württemberg të Gjermanisë ka vdekur edhe një person, duke e çuar në katër numrin e viktimave nga ky aksident.

Këtë e ka konfirmuar ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani kanë njoftuar që sot ka ndërruar jetë edhe shqiptari i katërt në aksidentin e rëndë në Landin e Baden Württemberg”, ka thënë ajo.

Haradinaj-Stublla tutje ka shtuar se në këto çaste të vështira për të gjithë ne ku për vetëm një javë u shuan tragjikisht 6 jetë të bashkatdhetarëve tanë, shprehim pikëllimin e thellë për të gjitha tragjeditë e tmerrshme që rënduan fatin e diasporës sonë sidomos javën e fundit, duke u shprehur ngushëllimet e sinqerta në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës.

“Duke qenë të vetëdijshëm që jeta në mërgim nuk është e lehtë, dua të shprehë mirënjohjen time të thellë për të gjithë bashkëkombësit tanë në diasporë që nuk e harruan asnjëherë gjakun, atdheun, dhe kombin, dhe kështu mbesin pjesë e pandashme e jona, pavarësisht se ku ndodhen fizikisht. MPJD dhe misionet e saj diplomatike e konsullore janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e shteteve pritëse dhe në shërbim të qytetarëve tanë kudo”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Image
10:28

Gjatë kësaj jave pesë shqiptarë të vdekur në aksidente në Gjermani

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka konfirmuar se edhe tre shqiptarë kanë vdekur në një aksident trafiku në Gjermani.

Më 13 tetor në Bruckerg të Bavarisë treni kishte shkelur për vdekje dy vëllezër nga Deçani, derisa dje në Meersburg të Baden-Württembergut raportohet se tre shqiptarë nga Kosova kanë vdekur në një aksident gjatë udhëtimit për në Zvicër.

Treni në Gjermani godet për vdekje dy fëmijë nga Deçani

“Java që po lëmë prapa ishte e zezë për Kosovën dhe shqiptarët. Në Gjermani kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të rënda pesë bashkatdhetarë”, shkruan Ambasada.

Ambasada e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe njofton që në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë është në kontakt të afërt me autoritetet gjermane për sqarimin e rrethanave të aksidenteve në Bruckerg të Bavarisë ku humbën jetën dy vëllezër dhe Meersburg të Baden-Württemberg ku kanë humbur jetën edhe tre shqiptarë nga Kosova gjatë udhëtimit për Zvicër.

Për vdekjen e tre shqiptarëve ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se viktimat janë nga Ferizaj.

“Lajmi për tre bashkatdhetarë të tjerë të vdekur në Gjermani është jashtëzakonisht i rëndë. Java që lëmë është e rëndë për Kosovën. Të moshës 12, 18 dhe 35 vjeç janë viktimat e radhës, të familjes Krasniqi nga fshati Rahovicë të Ferizajit, së cilës ju shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta. Lutem që tragjedi të ngjashme të mos përsëriten”, ka shkruar Pacolli.