Kronikë

Dhjetë të arrestuar për dhunë në familje në qytete të ndryshme të Kosovës

Foto: Stock

Dhjetë persona janë arrestuar në disa qytete të Kosovës për dhunë në familje gjatë 13 dhe 14 tetorit.

Në Gjakovë dje janë arrestuar pesë persona, tre burra e dy gra, shtetas të Shqipërisë, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë përleshur në mes vete.

“Dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit dërgohen në mbajtje, ndërsa të dyshuarat lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Kurse në Prishtinë, më 13 tetor, janë arrestuar dy të dyshuar, për sulm ndaj një gruaje.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me bashkëshortin e saj ishte sulmuar fizikisht nga dy prindërit dhe motra e tij. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuarit një femër dhe një mashkull të dy kosovarë, të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Kurse në Gjilan dje është arrestuar një i dyshuar për sulm ndaj vajzës së tij.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

E në Ferizaj një person është arrestuar për shkak se pas një mosmarrëveshje rreth pronës e kishte kanosur të atin e tij. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Kurse në fshatin Gjonaj të Prizrenit një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i cili megjithatë nuk është arrestuar. Derisa viktima ka marrë trajtim mjekësor.

Në Pejë një burrë është arrestuar më 13 tetor pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thotë PK.