Kronikë

Zbulohen dhe shkatërrohen 6 plantacione me narkotikë në Koshare

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se ka zbuluar dhe ka shkatërruar gjashtë plantacione me bimë narkotike të llojit marihuanë në Koshare.

Policia shton se në vazhdën e implementimit të Planit Operativ "Parandalimi i kultivimit të narkotikeve dhe kontrabandës 2020” nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare (DRPK) - Perëndim, pas aktiviteteve të incizimit me dron të terrenit të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, është bërë vlerësimi dhe identifikimi i vendit të incizuar.

“Përderisa, sot me datë 23.09.2020, nga ora 06:00 e mëngjesit njësia e hetimeve rajonale të DRPK-Perëndim, e mbështetur edhe nga njësitet e vijës së gjelbër kufitare gjatë implementimit të Planit Operativ në terren në Koshare, konkretisht në vendin e quajtur UJZE - Rripe e vogël janë zbuluar gjashtë (6) plantacione me bimë të dyshuara narkotike si Canabis Stativa (Marihuanë), konkretisht 1270 bimë narkotike me gjatësi nga 1.50 deri ne 3 metra”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se nga vendi i ngjarjes është njoftuar prokurori kujdestar dhe njësia anti-drogë në Gjakovë, dhe me urdhër të prokurorit të gjitha bimët narkotike janë shkatërruar (djegur) në vendin e ngjarjes.

Policia e Kosovës, konkretisht Policia Kufitare e Republikës së Kosovës, është e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe operacionale në funksion të parandalimit dhe luftimit të të gjitha dukurive negative dhe veprave penale që bien në fushëveprimin e departamentit kufitar të Policisë dhe kryesit e këtyre veprave të sillen para organeve të drejtësisë.

Image