Kronikë

I dyshuari vdiq nga plagët e marra gjatë shkëmbimit të armatosur me policinë

Një person dyshohet se ka humbur jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Rasti ka ndodhur të martën mbrëma në Lagjen e Trimave në Prizrenit.

“Policia e Kosovës, njësiti policor i Drejtorisë Rajonale në Prizren derisa ishte në realizim të detyrave policore, sot në orët e mbrëmjes në Lagjen e Trimave në Prizren ka hasur në personin e dyshuar (B.Sh. me pseudonimin “qorri”), i cili ishte në kërkim me urdhërarrest për vepër penale " Tentim Vrasje". Personi i dyshuar në momentin kur ka vërejtur njësitin policor, ka filluar të shtiej me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar t’i kundërpërgjigjen personit të dyshuar me armë zjarri, të cilët janë mbështetur edhe nga njësitet speciale të PK-së. Nga shkëmbimi i armëve të zjarrit është plagosur personi i dyshuar, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore. Nga mjekët kompetent është konfirmuar se personi i dyshuar nga plagët e marra ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit-pistoletë, me të cilën dyshohet se personi i dyshuar ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë sikurse edhe dy granata dore.

Image