Në Pejë një person është gjobitur me 800 euro për shkak të dhënies së ryshfetit, bën të ditur përmes një komunikate për media Gjykata Themelore në Pejë.
Gjykata Themelore në Pejë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit E.R për shkak se me datë 13.09.2020 rreth orës 23:20 minuta, në fshatin V, Komuna P, pikërisht në afërsi të pompës së derivateve të naftës "P.C", me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt i jep përfitim pasuror personit zyrtar në mënyrë që ai person të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ditën kritike përderisa i pandehuri po qarkullonte me veturën e tij ndalohet nga ana e policisë, me ç'rast pasi i merret dokumentacioni dhe konstatohet përmes alkool testit se i pandehuri ka qenë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, me këtë rast është njoftuar se kishte kryer kundërvajtje, e ku këtu i pandehuri nxjerr nga xhepi kartëmonedhën me vlerë prej pesëdhjetë (50) euro duke ua ofruar zyrtareve policor, me kërkesë për ta lëshuar dhe mos u marr me të, mirëpo i njëjti është arrestuar nga ana e policisë ndërsa kartëmonedha është sekuestruar.
Gjykata njofton se ndaj të akuzuarit gjykata shqiptoi dënim me gjobë në shumën prej 300 euro dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muaj.
“Me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burg i është shndërruar në dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) €. Andaj, gjykata i shqiptoi dënim unik me gjobë në shumën prej 800 euro, të cilin dënim do ta paguajë brenda afatit prej tridhjetë ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Nëse i akuzuari dënimin me gjobë nuk e paguan në afatin e caktuar, dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burg, duke llogaritur një ditë burgim për çdo njëzet euro të gjobës”, thuhet në njoftim.
Të akuzuarit i konfiskohet monedha në shumë prej pesëdhjetë euro dhe e njëjta pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi urdhërohet që t’i alokohet mjeteve të buxhetit të Republikës së Kosovës.
“I akuzuari obligohet që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej njëzet (20) € dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit. Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim.