Kronikë

Digjen dy vetura afër shtëpisë së Sabit Gecit në Prishtinë

Rreth orës 05:00 të mëngjesit, janë djegur dy vetura në Prishtinë. Veturat e tipit AUDI dhe BMW ishin të parkuara, siç ka mësuar KOHA, para shtëpisë së ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sabit Gecit.

Policia, përmes një përgjigjeje zyrtare, ka thënë se hetimi është duke vazhduar.

“Sot rreth orës 05:00, policia ka marrë informatën se në rrugën “Nazmi Mustafa” në Prishtinë janë duke u djegur dy vetura (një e tipit Audi, një e tipit BMW.) Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet e nevojshme policore, të përkrahur edhe nga zjarrfikësit, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Zjarri është lokalizuar, janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Aktualisht, policia po vazhdon me të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin.

KOHA ka provuar të vërë kontakt me familjen Geci, por nuk ka arritur.

Geci është dënuar para disa vjetësh për krime lufte, por vuajtja e dënimit i është pezulluar disa herë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Në fillim të këtij viti ai pati udhëtuar drejt Hagës, i ftuar nga Gjykata Speciale.