Kronikë

Në një aheng familjar në Polac të Skenderajt konfiskohet një armë

Në një aheng familjar në fshatin Polac në Skenderaj, sot është konfiskuar një armë, ka njoftuar Fexhrije Pllana, zyrtare për informim publik te Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë.

Një i dyshuar është intervistuar. Ai dyshohet se ka shtënë me armë. Ai është liruar me procedurë të rregullt.

“Sot rreth orës 11:05, Policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Polac-Skenderaj. Njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor në Skenderaj, mbi bazën e informacionit fillestar kanë ndërmarrë veprime të shpejta policore, ku pas një kohe të shkurtër kanë identifikuar vendin nga ku ishin dëgjuar të shtënat, me ç’rast në vendin e ngjarjes ku kishte aheng familjar, në cilësi të provave materiale kanë konfiskuar një armë të shkurt ( revole) me gaz, një karikator, dy fishek dhe katër gëzhoja. Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar S.X., 29 vjeçar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë në aheng familjar. Pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe i është iniciuar rasti ’’përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’’ dhe ‘’mbajtje në pronësi, kontroll apo në posedim të paautorizuar të armëve”, është njoftuar.

Nga Drejtoria e Policisë Rajonale po ashtu është njoftuar për arrestimin e një 18-vjeçari për vjedhjen e një biçiklete para dy dite.