Një vrasje dyshohet të ketë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në fshatin Bardhaniq të komunës së Gjakovës.
Një shtetas i Shqipërisë raportohet të ketë vrarë një burrë, derisa ka plagosur edhe gruan dhe djalin e viktimës.
Këtë e ka konfirmuar për KOHË-n, Lumni Graishta, drejtor i Policisë Rajonale të Gjakovës.
“Rreth orës 03:00 të mëngjesit Policia është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Bardhaniq. Të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe Prokurorinë e Shtetit dhe njësinë e emergjencës që ka konstatuar vdekjen e viktimës”, shprehet Graishta.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se djali i viktimës gjithashtu është në gjendje të rëndë dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
“Ndërsa dy personat e tjerë të lënduar u është dhënë ndihma e parë në vend të ngjarjes. Djali për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është transferuar për në QKUK. I dyshuari është shtetas i Shqipërisë dhe ka qenë i strehuar në familjen e viktimës dhe motivet e rastit ende janë të panjohura për ne dhe po vazhdon ende ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe intervistimi i personit të dyshuar”, ka thënë Graishta.
Edhe
Një muaj paraburgim personit që dyshohet për vrasjen në Bardhaniq të Gjakovës
Tutje Graishta ka konfirmuar se pas identifikimit të të dyshuarit, të dhënat e tij u janë përcjellë të gjitha njësive policore.
“Rreth orës 07:00 të mëngjesit i njëjti është arrestuar nga stacioni policor i Deçanit. Me urdhër të Prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë, kurse trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar nga sektori rajonal i hetimeve në Gjakovë”, ka thënë Graishta.