Kronikë

Mbanin paratë në qese ushqimi, tre shqiptarëve iu ndalen 45 mijë euro në kufirin e Serbisë

Tre shqiptarëve që kanë udhëtuar për në Gjilan, u janë ndalur 45 mijë euro në pikëkalimin kufitar në mes të Hungarisë dhe Serbisë, ka njoftuar Dogana e Serbisë të hënën. Rasti ka ndodhur të dielën, ndërsa sipas njoftimit doganierët në bashkëpunim me policinë serbe kanë zbuluar 75 mijë euro të padeklaruara. Prej tyre 45 mijë euro janë mbajtur nga dogana, deri në përfundim të procedurës gjyqësore.

“Shkelja është zbuluar kur për kontroll për hyrje në Serbi ka arritur një ‘Mercedes’ me targa të Gjermanisë e me të cilin për në Gjilan kanë udhëtuar tre shtetas të Serbisë me prejardhje shqiptare. Në pyetjen se e kanë diçka për të deklaruar, të tre personat janë përgjigjur negativisht, duke thënë se pos bagazhit personal kanë edhe nga 5000 euro secili. Se kjo nuk është e vërtetë u kuptua që në fillim të kontrollit, kur doganierët në qesen me ushqim, që ishte nën këmbët e personit afër shoferit, gjetën një qese të letrës me 50 mijë euro”, ka njoftuar Dogana e Serbisë.

Doganierët serbë më pas kanë gjetur edhe 17 mijë euro të padeklaruara të shoferi, kurse të tre udhëtarët në kuleta dhe çanta kanë pasur edhe 7600 euro.

“Udhëtarëve u janë kthyer nga 10 mijë euro, sa lejohet që pa deklarim të bartën përmes kufirit”, thuhet në njoftim.

Jo shumë kohë më parë në të njëjtin pikëkalim kufitar dy shqiptarëve u janë ndalur 52 mijë e 500 franga zvicerane, raporton KOHA.

Image