Një zyrtar policor është arrestuar pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një person gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se lidhur me rastin Policia ka pranuar njoftim të mërkurën pas mesnate. Siç bëhet e ditur, zyrtari policor dyshohet se ka përdorur forcën te një person në një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në Prishtinë.
“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar zyrtarin policor (punonjës në stacionin policor Qendra në Prishtinë) që ishte i përfshirë në këtë incident”, thuhet në njoftim.
IPK bëri të ditur se arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet tutje në njoftim.