Kronikë

13 të ndaluar në Kosovë për 24 orë për mosrespektim të masave gjatë pandemisë

Foto: Alban Bujari / Koha

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka arrestuar vetëm dy persona të cilët s’respektuan masat e marra nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, në kohë të pandemisë. Derisa, 11 të tjerë janë ndaluar e më pas janë liruar me procedurë të rregullt. 

Arrestimi i dy personave është bërë në rajonin e Gjilanit.

Në fshatin “Fshati i Ri” në Viti, është arrestuar i dyshuari pasi i njëjti kishte hapur qendrën sportive ku ishin takuar duke luajtur futboll disa persona në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër në Sadovinë të Qerkezëve, në Viti, është arrestuar i dyshuari pasi i njëjti kishte hapur qendrën sportive ku ishin takuar duke luajtur futboll disa persona në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thotë policia.

Pesë raste të tjera janë raportuar në rajonin e Prizrenit, porse të gjithë janë liruar në procedurë të rregullt.

Gjithashtu, një rast është raportuar në rajonin e Pejës e dy në Mitrovicën e Jugut, të cilat po ashtu s’kanë përfunduar me arrestime.

Në bazë të vendimeve të ministrisë së Shëndetësisë, nga 18 maji qytetarët kanë të drejtë lëvizje dy herë në ditë nga dy orë, bazuar në numrin e parafundit personal. 

Gjithashtu, në fshatin Novosellë, Kamenicë, tre të dyshuar derisa kishin qenë duke udhëtuar me veturë janë ndaluar nga njësiti policor dhe është konstatuar se ata kishin lëvizë duke mos e respektuar vendimin e Ministrisë. Ndaj të dyshuarve me urdhër të prokurorit është iniciuar lënda e rastit dhe të njëjtit pas kontrollit mjekësor janë dërguar në karantinë në Prishtinë.