Arbëri

Shprehen akuza për hakmarrje nga pushteti në Skenderaj

Përçarjet ndërmjet nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe ish-kryetarit, Bekim Jashari, sipas asamblistëve të këtij të fundit, ende janë duke u reflektuar në procesin e vendimmarrjes. Për këtë situatë as Jashari e Lushtaku nuk kanë pranuar të flasin. Por ato i ka mohuar kryetari i Skenderaj, Fadil Nura. Ka thënë se nuk ekziston presion politik në shenjë hakmarrjeje.

Përçarjet dhe përplasjet politike ndërmjet nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe ish-kreut të kësaj komune, Bekim Jashari, vlerësohet se janë duke u reflektuar në proceset vendimmarrëse.

Krejt kjo, sipas grupit të asamblistëve të listës së pavarur “Ideal”, ka filluar nga konflikti verbal që filloi pasi Jashari mori pushtetin më 2017, ku e akuzonte pararendësin e tij Lushtakun për zhvatje të buxhetit komunal.

Sipas tyre, nga kjo janë duke e pësuar qytetarët.

“Prapë i njëjti avaz me presione politike, duke i bërë punonjësit në përgjithësi, sidomos në QKMF, për t’i larguar nga puna. Qysh mund të mendojë një rini e shëndoshë kur i sheh gjithë këto ngjarje, si duhet të mendojë ajo të punësohet këtu? Këto janë shumë të dëmshme për rininë tonë”, ka thënë Avdullah Gashi, asamblist i kësaj liste.

KOHA ka tentuar të marrë një prononcim nga Bekim Jashari, por ai nuk ishte i qasshëm në telefon.

Asamblistët e subjektit politik që ai ka udhëhequr në zgjedhjet e fundit kanë thënë se Jashari është distancuar nga çështjet lokale.

Ai në shkurt të këtij viti ka njoftuar për largimin nga politika. Në letrën e tij publike ka thënë se nuk mund të vazhdojë në këto rrethana se si po zhvillohet politika.

E nënkryetari Lushtaku, i cili më 2017 u tërhoq nga gara për ta përkrahur kandidaturën e Jasharit, ka thënë për KOHËN se gjendet në Shqipëri.

Ankesat për presion politik në shenjë hakmarrjeje i ka mohuar kryetari Fadil Nura.

“Kur një opozitë nuk ka vizion, alternativë, kapen në gjëra kaq banale që nuk kanë të bëjnë me qytetarët e Skenderajt. Nuk ka më Bekim Jashari, pasi nuk është më në politikë. Dhe, si mund të përdoret një njeri që nuk është në politikë, cili është vizioni i kësaj opozite? Janë drejtorët e shkollave që unë në asnjë masë nuk kam marrë asnjë veprim, drejtorë që janë emëruar nga pushteti i kaluar”, ka thënë ai.

Sipas asamblistëve, kjo përçarje politike ka ndikuar edhe në emërtimin e rrugëve në këtë komunë.

Një rrugë në fshatin Vojnikë është bërë mollë sherri mes banorëve. Rruga e cila mban pllakatin “Muhamet Musliu”, që sipas familjes Musliu ishte vendosur gjatë pushteti të kaluar, tani, sipas tyre, është duke u tentuar të ndryshohet në “Bislim Imeri”.

Sipas anëtarëve të familjes Musliu, një ndër arsyet është pasi personi që ka kërkuar emërtimin e rrugës, Xhevat Imeri, është përkrahës i pushtetit.

“Qe gjashtë vite janë tri pllakat që janë të vendosur në rrugën e cila shtrihet nga degëzimi për lagjen Turjan – ‘Rruga Dëshmorët e Vajnikut’ dhe kalon nëpër fshatin Ozdrim dhe përfundon në kufirin me fshatin Jashanicë. Tani pas shumë vitesh është bërë kërkesë nga familja Imeri që të ndryshohet”, ka thënë vëllai i Muhamet Musliut, Liri Musliu.

Sipas tij, një ndër arsyet është pasi personi që ka kërkuar emërtimin e rrugës Xhevat Imeri është përkrahës i pushtetit.

E akuzat i ka mohuar Imeri.

“Unë në korrik të vitit 2021 e kam bërë kërkesën që të emërohet ajo rrugë në emër të babait tim, meqë ka qenë luftëtar i UÇK-së. Rruga kah është pa emër, ata e kanë vendosur privatisht pllakatën e tretë. Zyrtarisht ajo rrugë i ka vetëm dy pllakata”, ka thënë Imeri.

Kryetari Nura ka thënë se rruga kryesore do të vazhdojë të quhet “Muhamet Musliu”, e vetëm rruga e degëzuar do të emërtohet “Bislim Imeri”, që sipas tij është udhë pa emër.