Arbëri

AIP-ja gjobit Komunën e Fushë-Kosovës me 12 mijë euro

Foto: Koha

Gjatë këtij viti, Agjencisë për Informim dhe Privatësi e ka dënuar tri herë Komunën e Fushë-Kosovës, duke e gjobitur me gjithsej 12 mijë euro. Masa është marrë për shkak se zyrtarët komunalë ua refuzuan palëve kërkesat për qasje në një numër dokumentesh publike

Komuna e Fushë-Kosovës ia ka mohuar disa herë qasjen në dokumente publike drejtoreshës së “Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve”, Elza Ramadani.

Ligji detyron secilin institucion shtetëror që të publikojë çdo dokument publik që e prodhon, pranon, e mban apo e kontrollon, por Ramadanit nuk i ishin vënë në dispozicion kopje të dokumenteve në lidhje me tenderët për trajtimin e qenve endacakë.

“I kemi kërkuar të gjitha listat që janë trajtuar nga veterinari, vendi i kapjes së qenve, data e lëshimit, që të dihet sigurt se paraja publike po shpenzohet në mënyrë korrekte nga operatorët ekonomikë të kontraktuar nga komuna, do të thotë veterinarët që t’i trajtojnë qentë endacakë”, ka thënë Ramadani.

Pasi komuna ia mohoi të drejtën për t’ia dhënë dokumentet me informatat e kërkuara, Ramadani iu drejtua me ankesë Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Komisionerja e kësaj agjencie, Krenare Sogojeva, konfirmoi se Komuna e Fushë-Kosovës është dënuar tri herë, duke u gjobitur me gjithsej 12 mijë euro.

“Komuna e Fushë-Kosovës brenda një muaji e gjysmë është dënuar tri herë nga AIP-ja për shkak të mohimit të së drejtës për qasje në dokumente publike”, ka thënë Sogojeva. “Ne bëjmë thirrje që kjo komunë të ndërgjegjësohet, të kthejë përgjigje për qytetarë, por edhe për ne si institucion, në mënyrë që të mos vazhdojmë me gjobitjen e këtij institucioni”.

E zyrtarë të Komunës së Fushë-Kosovës nuk kanë treguar arsyet pse s’u përgjigjen kërkesave për qasje në dokumente publike, por vetëm kanë theksuar se pranojnë kërkesa të shumta të kësaj natyre.

“Të gjitha kërkesat për Qasje në Dokumente Publike i specifikon Ligji NR. 06/L-081. Tani ju informoj se ne marrim kërkesa të shumta për Qasje në Dokumente Publike”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Përpos Fushë-Kosovës që ka marrë tri gjoba, këtë vit Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka shqiptuar masa të tilla edhe Komunës së Gjilanit dhe Universitetit të Prishtinës.

Ligji për Qasje në Dokumente Publike parasheh që secili person ka të drejtë për qasje në dokumente publike në bazë të kërkesës. E heshtja ose mospërgjigjja e institucionit publik brenda afatit të caktuar me këtë ligj, konsiderohet si përgjigje negative dhe i jep të drejtë kërkuesit që të ndjekë procedurat mbi ankimin administrativ dhe procedurën gjyqësore.

AIP-ja është kompetente për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit të këtij Ligji, për ndërmarrjen dhe shqiptimin e masave të parapara me këtë ligj, si dhe për promovimin dhe trajnimin e institucioneve publike në zbatimin e këtij ligji.