Arbëri

Kryetari Hyseni paralajmëron dorëzimin e tri kallëzimeve penale ndaj ish-kryetarit Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka akuzuar për korrupsion, ish kryetarin e kësaj Komune, Lutfi Hazirin. Në një konferencë për media në objektin e Komunës, Hyseni foli për tre raste ku ai pretendon se u keqpërdor dhe keqmenaxhua paraja publike.

Sipas Hysenit, njëri rast ka të bëjë me tenderin për ndërtimin e QKMF-së.

“Rasti i parë ka të bëjë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së është edhe nisma e keqpërdorimeve brenda këtij institucioni. Përveç fazës së ndërtimit, lidhjes së kontratave edhe kundërligjshëm edhe me përmbajtje që dëmtojnë buxhetin e komunës edhe ashtu të varfër, keqpërdorime janë bërë edhe në fazën e blerjes së inventarit dhe furnizimit të objektit të ri”, tha Hyseni.

Hyseni pretendon se miliona euro janë keqpërdorur edhe për shpronësime.

“Nga 26 milionë euro që është vlera totale e borxheve të trashëguara, vetëm në shpronësim, i kemi gjithsej 11 milionë euro, vlera e tokës në po këtë zonë është 120 euro për metër katrorë. Ndërkohë që, shpronësimi i këtyre tokave, nga komuna e Gjilanit është realizuar në vlerën prej 330 dhe 325 euro (bëhet fjalë për dy parcela të ndara që janë në kufinjë kadastral me njëra tjetrën)”, tha Hyseni.

Në LDK i mohuan akuzat.

Shefi i këshilltarëve komunal të LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu, tha se ky është një spektakël i kryetarit aktual, për ta fshehur mospunën.

“Edhe me këtë konferencë shtypi u pa se Z. Hyseni në mosdije dhe në paaftësi për të kryer funksionin e kryetarit të komunës po mundohet me e luajt hetuesin, prokurorin dhe gjykatësin d.m.th. në njëfarë mënyre 3në1. Është për çudi që del dhe e denoncon dhe e raporton veten e tij, qeverisjen e tij për qeverisje te keqe. I gjithë ky spektakël bëhet vetëm se për me e fshehë paaftësinë e tij për qeverisje komunale”, tha Aliu.

Por, kryetari Hyseni ka paralajmëruar se nga e mërkura provat do t’ua dërgojë organeve hetimore dhe se në të ardhmen do të ketë edhe padi të tjera ndaj ish-pushtetarëve në Gjilan.