Arbëri

Asamblistja e Lipjanit padit kryetarin për dëmtim integriteti

Shahadije Bikliqi, asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, deklaroi se ka dorëzuar kallëzim penal kundër kryetarit të komunës, Imri Ahmeti, pasi sipas saj, ai ia ka dëmtuar integritetin.

Bikliqi tha në SOT të KTV-së të hënën se më 27 shtator në Kuvendin Komunal, Ahmeti e ka pranuar se nuk ka lejuar që ajo të punësohet në komunë si zyrtare për informim.

“Të enjten e kaluar kam dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për kryetarin e komunës, Imri Ahmeti. Si rrjedhojë e deklarimit të tij publik në seancën e 27 shtatori në Kuvendin Komunal në foltoren e Kuvendit, ku e ka pranuar se e ka penguar punësimin tim si zyrtare për informim, që kam aplikuar vite më parë”, deklaroi ajo.

Sipas asamblistes së VV-së, kryetari Ahmeti ka ndërhyrë edhe në konkurse të tjera publike.

“Ka qenë deklaratë skandaloze, e ka pranuar se si në të kaluarën edhe tash, ka vendosur se kush mund të aplikojë e kush jo. Kryetari e ka shkelur Ligjin për qeverisje lokale. Ka ndërhyrë në konkurse publike dhe më këtë ka treguar se është përgjegjës dhe ka ndërhyrë si për punësime në sektorin e shëndetësisë, të arsimit dhe të administratës”, tha ajo.

Bikliqi u shpreh se ndaj kryetarit ka dorëzuar edhe padi civile pasi sipas saj, Ahmeti e ka ofenduar dhe sharë atë.

“Padia civile ka të bëjë edhe me fyerjet që m’i ka bërë kryetari, ka shpifur, e ka shprehur injorancën dhe tendencën që e ka që sillet si zot shtëpie. Kjo ka qenë një gjë e papranueshme, për çka kam bërë edhe padi civile. Është e papranueshme një sjellje e tij”.