Arbëri

Graçanica nis anulimin e shkëmbimit të 17 hektarëve tokë me 18 ari

Descriptive Text

Komuna e Graçanicës ka nisur procedurat për anulimin e vendimit për të shkëmbyer 17 hektarë tokë me 18 ari. 

Graçanica kishte aprovuar më 28 shtator vendimin që të shkëmbente tokë me pronarin shqiptar Rexhë Shoshi. Kishte ndarë 17 hektarë tokë komunale për 18 ari.

Kryetarja e Graçanicës, Liliana Shubariq, ka thënë se pas një numër të kritikave të disa përfaqësuesve të opozitës dhe po ashtu protestave që u mbajtën, ka nisur procedura e anulimit të vendimit, raporton “Kossev”.

Shubariq ka thënë se vendimi për shkëmbim të tokave ishte i justifikuar, por edhe se nuk dëshiron të bëjë asnjë lëvizje për t’u dhënë hapësirë “politikanëve të zbehur dhe të shpenzuar”.

Fillimisht ishte raportuar nga mediat, se Kuvendi Komunal i Graçanicës, ka marrë vendim të shkëmbejë 17 hektarë tokë komunale me 18 ari tokë private. Tokën e shqiptarit Shoshi e kishte quajtur si tokë më interes të veçantë.

Shubariq kishte thënë se është ofruar një pjesë proporcionale e tokës komunale. Ajo ka thënë se është e nevojshme që ministritë e Kosovës të vlerësojnë vlerën e të dy tokave.

Mirëpo, vendimi kishte shkaktuar reagime të ashpra nga qytetarët dhe opozita në Graçanicë. Kështu që të hënën u mbajt edhe një protestë para Komunës së Graçanicës dhe ishte nisur peticion për ta anuluar vendimin. Organizatorët e protestës dhe banorët e quajtën veprim kriminal.

Kryetarja e Graçanicës të martën ka thënë se ka filluar procedura për ta anuluar vendimin e 28 shtatorit, ndonëse thotë se vendimi ishte i drejtë.

Ajo ka thënë se kjo pikë do të futet në seancën e radhës të Komunës së Graçanicës.

“Edhepse ne besojmë se vendimi i 28 shtatorit ishte i justifikuar dhe kishte arsye të vlefshme për miratimin e tij, nuk duam të bëjmë asnjë lëvizje për t’u dhënë hapësirë politikanëve të zbehur dhe të shpenzuar që të keqpërdorin dhe përpiqen të manipulojnë njerëzit tanë në Graçanicë”, tha Shubariq.