Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan, sërish ka kërkuar nga Kuvendi Komunal që të merret në konsideratë kërkesa e tyre për zbritjen e çmimit të çerdhes publike në Lipjan nga 60 euro në 30 euro.
Kjo kërkesë vjen pasi që për dy çerdhet tjera në Sllovi dhe Gadime është marrë vendim nga Kuvendi që të aplikohet tarifa prej 30 eurosh për një fëmijë nga janari i vitit të ardhshëm.
Sipas Vetëvendosjes, e cila është subjekt opozitar në Lipjan, çerdhet publike në një komunë duhet ta kenë çmimin e njëjtë pa marrë parasysh lokacionin e saj, në mënyrë që mos të ketë diskriminime.
Alban Salihu, shef i grupit të VV-së në Kuvendin Komunal të Lipjanit, nëpërmjet një reagimi, midis të tjerash ka sqaruar se në mbledhjen e fundit të KK-së, në pikën e rendit të ditës për vendosjen e tarifave në vlerë 30 euro për fëmijët që regjistrohen në çerdhet e reja në fshatrat Gadime dhe Sllovi, kanë kërkuar që ky çmim është i arsyeshëm dhe duhet të aplikohet edhe në çerdhen publike në Lipjan, mirëpo siç ka thënë, një gjë e tillë nuk është marrë parasysh nga Kryesuesi i Kuvendit Daut Azemi.
“Ne përmes amandamentimit të këtij vendimi kemi kërkuar që edhe çmimi në çerdhet e qytetit te jetë pjesë e këtij vendimi prej 60 euro të zbritet në 30 euro sepse ne konsiderojmë se është diskriminuese dhe e padrejtë ndaj prindërve që i dërgojnë fëmijët aty. Pra, të gjithë këta fëmijë janë të komunës së Lipjanit dhe nuk është e drejtë në Lipjan të paguajnë nga 60 euro në muajt për një fëmijë kurse në Sllovi e Gadime nga 30 euro”, ka kërkuar Salihu.
Në anën tjetër kryesuesi i Kuvendit, Daut Azemi, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me kërkesat e ngritura nga opozita.
Ndërkohë në mbledhjet e fundit të Kuvendit Komunal ka pasur debate të ndryshme lidhur me tarifat për qëndrim ditor të fëmijëve, derisa Kuvendi pati miratuar rritjen e tarifave nga 45 euro në 60 euro për një fëmijë në muaj.
Kryetari i Komunës Imri Ahmeti, pati sqaruar se për nëntë vjet të qeverisjes së tij nuk është rritur asnjëherë çmimi i qëndrimit ditor në çerdhe pavarësisht rritjes së standardeve tjera.
Sipas Ahmetit, rregulloret për çerdhe të përcaktuara nga niveli qendror deri më tash kanë krijuar pa barazi për qytetarët me arsyetime se vetëm ata prindër që janë në marrëdhënie pune kanë pasur të drejtë t’i sjellin fëmijët në çerdhe.
“Dikur ka qenë 80 cent një litër vaj e dini të gjithë apo një litër naftë, por sot është 2 euro apo 3 euro se nuk e di as vet sa është. Bëhuni pak më real shikojeni gjendjen ku jemi. Kjo 45 euro është më mirë të hiqet krejt dhe e dyta është gjynah për ata që po i detyrojmë të shkojnë në privat, prandaj duhet të mendohet edhe për pjesën tjetër. Ne nuk kemi mekanizëm me detyruar tregun e lirë, andaj ne kemi mekanizëm për ta ndërtuar një barazi qytetare”, pati thënë Ahmeti.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit është marrë vendim që deri në janar të vitit të ardhshëm, prindërit në Gadime e Sllovi, mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe publike pa pagesë, ndërkohë pas kësaj periudhe do të paguajnë nga 30 euro në muaj për qëndrim ditor të fëmijëve.