Arbëri

Pasi vendosën ta ndërprisnin grevën, mësimdhënësit e një shkolle në Deçan iu rikthyen asaj

Descriptive Text

Mësimdhënësit e shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Deçan mbajtën vetëm një orë mësimi të hënën. Tri ditë më parë ata vendosën që të nisnin mësimin nga kjo javë, por thanë se ndërruan mendjen pas një deklarate të kryeministrit Albin Kurti.

“Kolektivi ka marrë të premten vendim se jemi për ndërprerje të grevës për hatër të fëmijëve, mirëpo po e shohim që kryeministri nuk po ndalet”, tha Gani Demhasaj, bibliotekist në SHFMU “Lidhja e Prizrenit” në Deçan.

Një ditë më parë kryeministri Kurti tha se sindikalistët janë vënë në shërbim të opozitës.

Por, jo të gjithë mësimdhënësit e shkollës së Deçanit u prekën nga kjo deklaratë.

"Unë përfundimisht mbi të gjitha kam vendosur që mësimin ta filloj me nxënësit e mi, sepse falë tyre ne jemi këtu edhe mbi të gjitha dominoi arsyeja pse unë po filloj sot, pavarësisht, siç e dini, që kolektivi ka marrë vendim ndryshe", tha Atifete Qorraj, mësimdhënëse në SHFMU “Lidhja e Prizrenit”.

Nxënësit që të hënën erdhën në shkollë për t’ia nisur mësimin, i zhgënjeu vendimi i ri i mësimdhënësve.

“Fillimisht kemi marrë librat, pas asaj kemi mbajtur orën e muzikës. Pas kësaj arsimtarja na ka thënë se pa marrë vendim këshillat e SBASHK-ut nuk ka mësim. Ne boll kemi mbajtur pushim”, tha Sara Malaj, nxënëse e klasës VIII.

“I kemi marrë librat dhe pas një mbledhjeje ata kanë thënë që kemi grevë. Shpresoj që së shpejti do të çelen shkollat”, tha Aulon Dubruna, nxënës i klasës VI.

E, familjarë të tyre bënë thirrje që sa më shpejt të hapen shkollat.

“Është gjynah motra jem me i marrë në qafë fëmijët për 50 euro, kryeministri 3 mijë euro rrogën sa 30 pensionistë, s’ka kuptim mos me ia rritë edhe arsimtarit”, tha Habedin Musliu, gjysh i një nxënësi.

“I kanë lënë fëmijët te shpija, nuk është mirë kjo çka janë duke bërë. Për çdo ditë po pyet kur po ja nisim mësimin, nuk jemi duke ditur se kur ka me ja nisë”, tha prindi Nexhat Kosumi.

Shkolla fillore “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, sikurse edhe shumica e shkollave në Kosovë, ka mbyllur dyert për nxënësit, meqë mësimdhënësit kanë hyrë në grevë me kërkesën për shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove.