Arbëri

Një mësimdhënës në Lipjan nis mësimin, por pengohet nga drejtori i shkollës

Nxënësit e klasës së njëmbëdhjetë, të shkollës së mesme “Adem Gllavica” në Lipjan kanë protestuar të enjten para objektit të shkollës së bashku me kujdestarin e tyre të klasës.

Ata kanë kërkuar që t’u lejohet mbajtja e orës së mësimit me lëndën që ua jep kujdestari i tyre.

Për vazhdimin e mësimit është pajtuar mësimdhënësi Daut Fazliu, por thotë se drejtori i kësaj shkolle Skënder Rudari, ua ka mbyllur derën.

“Unë qe 3 ditë e mbaj mësimin, kurse sot ka ndodhur një problem sepse nxënësit kanë ardhur në shkollë pasdite dhe janë futur brenda në klasë, pastaj më kanë ftuar dhe kam ardhur në shkollë kur kam ardhur i kam parë nxënësit jashtë shkollës, kurse drejtori tu e mbyllë derën e shkollës dhe i kam thënë drejtor mos e mbyll derën sepse nxënësit e kanë vullnetin të vinë në shkollë”, ka thënë Daut Fazliu, mësimdhënës.

Edhe disa nxënës akuzuan drejtorin që nuk po ua lejon kthimin në shkollë.

“Shumë keq derisa kemi marrë vetëbesim së bashku me kujdestarin tonë ta majmë mësimin, nuk është në rregull ta mbyllin derën dhe mos të na lejojnë të hyjmë brenda për ta mbajtur mësimin”, pohoi Leonora Krasniqi, nxënëse.

“Shumë keq që drejtori dhe zëvendësja e tij na kanë larguar me dhunë nga shkolla. Pra kemi shumë vullnet të vijmë në shkollë, por drejtori na ka larguar nga shkolla”, shtoi nxënësja tjetër e shkollës, Edisona Gashi.

KOHA ka provuar të kontaktojë me drejtorin e kësaj shkolle, Skënder Rudari, por nuk është përgjigjur.

Mësimdhënësi Fazliu së bashku me nxënësit e tij kanë paralajmëruar se edhe në ditët në vazhdim do të provojnë për ta mbajtur procesin mësimor nëse një gjë e tillë u lejohet.