Arbëri

Në disa shkolla të Podujevës po shpërfillet greva e SBASHK-ut

Shumë shkolla në Komunën e Podujevës e kanë filluar pjesërisht mësimin. Mësimdhënësit individualisht po e shpërfillin thirrjen e SBASHK-ut për ta vazhduar grevën dhe autoritetet komunale presin që nga e hëna të nisë mësimi në të gjitha shkollat dhe për të gjithë nxënësit.

Mësimdhënësit në Komunën e Podujevës individualisht janë duke e shpërfillur thirrjen e SBASHK-ut për ta vazhduar grevën në arsim.

Në shkollën fillore “Ibrahim Rugova” në qytet, 7 mësues kanë nisur të mbajnë mësim për nxënësit.

Drejtori i kësaj shkolle, Sheqir Krasniqi, jep detaje për realizimin e pjesshëm të mësimit.

“Dje dhe sot ka filluar procesi mësimor. Realisht në shkollën ‘Ibrahim Rugova’ jo me të gjitha kapacitetet, me të gjithë mësimdhënësit dhe të gjithë nxënësit. Mirëpo në ciklin e mesëm të ulët, respektivisht 6-9, 5 mësimdhënës aktualisht kanë filluar procesin e mësimit edhe 5 klasë, janë mbajtur 5 orë mësimore në ditën e djeshme dhe sot. Është zhvilluar një proces normal i mësimit. Ndërsa në ciklin fillor janë 2 mësimdhënëse të cilat e kanë filluar procesin mësimor”, ka thënë Krasniqi.

Ai pret që nga dita e hënë, edhe mësimdhënësit e tjerë ta fillojnë mësimin normalisht.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga mësimdhënëset e kësaj shkolle që e kanë nisur mësimin, por ato nuk kanë qenë të gatshme të prononcohen.

E për braktisjen e grevës nga mësimdhënësit nuk ka pranuar të flasë kryetari i Sindikatës së Arsimit në Podujevë, Fadil Halimi.

Autoritetet komunale thanë se në shumë fshatra ka nisur të realizohet pjesërisht mësimi dhe treguan se situata më e mirë është në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Batllavë, ku 70 për qind e mësimdhënësve e kanë braktisur grevën.

“Gjendja më e mirë është te cikli prej 1 deri 5, për arsye se aty kemi të bëjmë me mësues apo mësuese për dallim prej ciklit 6 deri në 9, ku kemi mësimdhënës që p.sh. mund të kemi profesorin e matematikës, i gatshëm të fillojë procesin mësimor, mirëpo nuk është i lëndës tjetër dhe këtu po kemi një pjesëmarrje më të vogël. Mirëpo, unë sot isha prezent edhe te mësimdhënësit ku janë duke mbajtur mësim edhe ata që janë në grevë dhe një vullnet dhe një gatishmëri e tyre ishte që nga e hëna edhe ata t’i bashkëngjiten procesit mësimor”, ka thënë drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu.

Sipas drejtorit Fetahu, te shkollat e mesme ka një hezitim më të madh për ta lënë grevën, por, sipas tij, vullneti i profesorëve është që nga e hëna ta fillojnë edhe ata procesin mësimor.

Greva e përgjithshme në arsim ka nisur nga 25 gushti në të gjithë vendin, por ajo po shpërfillet individualisht në disa shkolla, si në Gjakovë dhe Podujevë.