Arbëri

Opozita në Prizren konteston zgjedhjen e drejtorëve të shkollave

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore një kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe vartësve të tij, lidhur me procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave.

Nga anëtarët e opozitës, ky proces është vlerësuar të jetë përcjellë me parregullsi ligjore, duke ndikuar në integritetin dhe kredibilitetit e sistemit arsimor.

Selman Sokoli, kuvendar nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se shkeljet kanë filluar që prej përbërjes së Komisionit për zgjedhjen e drejtorëve.

“Përzgjedhja e Komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zv.drejtorëve të institucioneve parauniversitare publike, dmth kemi vërjetur se qysh në përzgjedhjen e Komisionit ka pas shkelje ligjore. Propozimi ka qenë në kundërshtim me rregulloret në fuqi edhe komplet tani veprimet që kanë ndodhur pas asaj kanë qenë anti-ligjore”, tha Sokoli.

Ai ka vlerësuar se një proces i tillë e dëmton edhe kredibilitetin e drejtorëve në sytë e komunitetit shkollor.

“Ne nuk kemi bërë kallëzim penal për shkak se është zgjedhur një drejtor që potencialisht mund të jetë përkrahës i një subjekti politik, mirëpo për shkak se janë shkelur, janë thyer rregullat formale minimale juridike që duhet t’i plotësojë një kandidat. Ky ka qenë shkaku që kemi bërë një kallëzim penal dhe normal që është dëmtuar tejmase kredibiliteti i drejtorëve, të cilët i menaxhojnë shkollat edhe në sytë e nxënësve, në sytë e qytetarëve”, tha Sokoli.

Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prizrenit, ka shprehur qëndrimin se i tërë procesi i përzgjedhjes së drejtorëve në shkolla është zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe se organet e drejtësisë do ta japin fjalën e fundit lidhur me këtë çështje.

“Ka qenë një proces i rregullt dhe i bazuar në ligjet dhe udhëzimet aktuale të cilat janë në fuqi, proces transparent, i cili ka qenë i hapur edhe për shoqërinë civile, edhe për mediat, edhe për Këshillin Drejtues dhe të gjitha ata që kanë marrë pjesë, kanë dhënë komentet më të mira të mundshme për këtë pjesë. Tani në situatën në të cilën jemi, të gjithë ata që pretendojnë që t’i japin tendencë për ta prishur këtë proces ose për t’i dhënë një imazh ndryshe, janë organet e drejtësisë ato të cilat do ta japin fjalën e fundit dhe do ta shihni edhe ju epilogun”, tha Veselaj-Gutaj. .

Nga Prokuroria Themelore në Prizren, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, është konfirmuar pranimi i kallëzimit penal, teksa është shtuar se rasti do të trajtohet përbrenda afateve të parapara ligjore.

Depolitizimi dhe punësimet mbi baza të meritokracisë në sektorin e arsimit kanë qenë zotimet e kryetarit Totaj gjatë fushatës paraelektorale. Por gjatë muajve të shkuar, procesi i përzgjedhjes së drejtorëve në shkollat e Komunës së Prizrenit është kontestuar nga opozitarët, me pretendimet se këto pozita po rezervohen për kandidatët që kanë afërsi me partitë në pushtet.