E në Prizren, të gjitha shkollat kanë qenë të mbyllura, për shkak të grevës së mësimdhënësve. Drejtues të këtij arsimit në këtë komunë, si dhe ata të shkollave publike kanë bërë të ditur se përgatitjet për fillimin e mësimit të enjten ishin bërë, porse shkaku i grevës së SBAShK-ut, orët mësimore nuk janë mbajtur
Bankat shkollore nëpër institucionet arsimore të Prizrenit të enjten kanë mbetur bosh, me gjithë thirrjet e MASHTI-t për ta filluar vitin e ri shkollor.
Mësimdhënësit në këtë komunë e kanë respektuar thirrjen e SBASHK-ut për ta vazhduar grevën.
Drejtues të shkollave publike kanë bërë të ditur se javëve të shkuara janë kryer përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, porse procesi mësimor nuk ka filluar më 1 shtator shkaku i grevës së mësimdhënësve.
“Edhe pse shkolla jonë i ka bërë të gjitha përgatitjet teknike që mësimi të fillojë më 1 shtator, megjithatë sipas gjasave mësimdhënësit po i përgjigjen ftesës së SBASHK-ut për të vazhduar grevën”, ka thënë Alidin Flugaj, drejtor i shkollës “Abdyl Frashëri”.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj, të enjten ka deklaruar se duke u bazuar në raportet e pranuara nga shkollat që i përgjigjen këtij dikasteri, janë krijuar të gjitha kushtet optimale për fillimin e procesit edukativo-arsimor me kalendarin e rregullt, porse mësimdhënësit janë duke mbajtur grevë dhe si rezultat, në asnjë shkollë të Prizrenit nuk është mbajtur mësimi të enjten.
“Realisht, sot, do të duhej të ishte një ditë feste për gjithë arsimin në Kosovë, edhe për procesin edukativo-arsimor, mirëpo në situatën në të cilën jemi të gjitha shkollat e Prizrenit janë deklaruar se mësimdhënësit janë në grevë dhe mbështesin Sindikatën e Arsimit në nivel vendi”, ka thënë Veselaj-Gutaj.
Ajo ka bërë thirrje që autoritetet e arsimit në nivelin qendror bashkë me Sindikatën të gjejnë një linjë komunikimi për të gjetur një zgjidhje për daljen nga kjo situatë.
Greva e përgjithshme është thirrur nga BSPK-ja dhe të njëjtës i është bashkuar edhe SBASHK-u.