Arbëri

Nuk mbahet mësim as në Podujevë

Edhe në Podujevë, ashtu si në shumicën e shkollave në Kosovë, nuk po zhvillohet procesi mësimor pasi që mësimdhënësit janë futur në grevë.

Grevës iu kanë përgjigjur edhe mësimdhënësit e Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik të Podujevës.

Muhamet Maloku kryetar i shoqatës sindikale të kësaj shkolle theksoi për KosovaPress se të gjithë mësimdhënësit e shkollës “Kongresi i Manastirit”, iu kanë përgjigjur grevës.

“Edhe sot po vazhdon unanimisht nga të gjithë mësimdhënësit greva nga të gjithë mësimdhënësit e shkollës “Kongresi i Manastirit”. Ne jemi 36 anëtarë, janë 52 mësimdhënës në listë, të gjithë e kanë përkrahur grevën dhe janë nënshkruar në listë”, tha ai.

Komuna e Podujevës qeveriset nga partia në pushtet, Vetëvendosje, por mësimdhënësi Maloku ka thënë se nuk kanë pasur presion nga komuna e as nga prindërit që mos të futen sot në grevë.

“Jo, fatmirësisht nuk kemi pasur presion as nga niveli komunal e as nga prindërit, por as ne si sindikatë nuk kemi bërë presion mësimdhënësve. Të gjithë janë futur në grevë me dëshirë për të realizuar një kërkesë e cila është legjitime. Duke ditur se rritja e inflacionit është e madhe, kërkesa e SBAShK-ut për 100 euro është mëse legjitime. Edhe ne nuk jemi për grevë… Dëshira jonë është që greva të përfundojë qysh sot, mirëpo kjo varet shumë nga reflektimi i qeverisë që mësimi të fillojë për nxënësit”, theksoi ai.

Kryetari i sindikatës së SBASHK-ut për Podujevë, Fadil Halimi, ka thënë se të gjithë mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme janë futur në grevë në Podujevë.

Halimi ka thënë se vetëm në shkollën e Batllavës, mësuesit e ciklit të ulët kanë punuar, por jo edhe arsimtarët e kësaj shkolle.

“Deri tash sa kam informacione, në grevë janë të gjitha shkollat e qytetit dhe fshatrave. Shkollat e mesme, çerdhet, me përjashtim të shkollës së Batllavës, ku vetëm mësuesit e ciklit të ulët nuk janë në grevë, do të thotë kanë punua”, tha ai.

Greva e BSPK-së dhe SBASHK-ut ka nisur nga data 25 gusht e që po vazhdon me kërkesat për ndarjen e 100 eurove deri në miratimin e Ligjit të Pagave./ KP