Arbëri

Subvencionimet në kulturë, rini e sport në Prizren po vlerësohen jotransparente

Mënyra e administrimit të thirrjes publike për subvencione në kulturë, rini e sport, sikurse edhe shpallja e rezultateve finale nga Komuna e Prizrenit, ka ngjallur reagime edhe sivjet. Procesi nga aktivistët e shoqërisë civile po vlerësohet si jotransparent. Ata kanë kërkuar që të bëhet përmirësimi i praktikave të deritanishme. Zyrtarët komunalë pohojnë se kanë vepruar në përputhje me rregulloren për subvencionim.

Shpallja e listës së përfituesve të subvencioneve për OJQ-të dhe individët në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit nga Komuna e Prizrenit është shoqëruar me reagimet e aktivistëve të shoqërisë civile.

Ata thonë se i tërë procesi është përcjellë me jotransparent.

Krahas tyre, edhe drejtuesit e Komitetit për Komunitete kanë adresuar kërkesë për monitorimin e zbatimit të projekteve të përkrahura nga fondet publike.

“Si janë përzgjedhur, shuma e përkrahur jo në përgjithësi, por për secilën OJQ, sa euro, cila OJQ i ka marrë dhe cili individ, edhe anëtarët e Komisionit. Po e them prapë, është përulje ta publikojë Komisioni edhe mos t’i vendosë emrat. Po leni hapësirë të mendohet gjithçka”, ka thënë aktivistja e shoqërisë civile, Tringa Kasemi.

Përmes një reagimi edhe OJQ “EC Ma Ndryshe” ka kërkuar nga organet komunale që krahas titullit dhe emrit të përfituesit të përfshihen edhe informatat shtesë, si kriteret e vlerësimit, në bazë të të cilave janë përzgjedhur përfituesit e listës së anëtarëve të komisioneve.

Kryesuesi i Komitetit për Komunitete, Ertan Simitçi, ka shtruar nevojën e monitorimit të zbatimit të projekteve që përkrahen sipas thirrjes publike të DKRS-së.

“Por nuk kemi informata të sakta lidhur me kryesinë e OJQ-ve, menaxhimin apo raportimin, apo aktivitetet, a po realizohen sipas kërkesave, apo sipas thirrjeve publike”, ka thënë ai.

Drejtori i DKRS-së në Prizren, Adem Morina, ka deklaruar se shpallja e listës së përfituesve është bërë konform dispozitave të rregullores. Sipas tij, informatat shtesë mund të ofrohen përmes qasjes në dokumente publike.

“Unë e kam konsultuar edhe Zyrën ligjore, kam dashur, ja ku janë edhe mediat, ta bëj transparente, ta publikoj shumën, mirëpo me rregullore nuk po lejohet që të dalë shifra për secilën OJQ”, ka thënë Morina.

Sa i përket monitorimit, është pajtuar me vërejtjen e dhënë, duke shtuar se ky dikaster ka mungesë personeli.

Shoqëria civile edhe në vitet e shkuara ka shprehur pakënaqësi rreth mënyrës së administrimit të thirrjes për subvencione në kulturë, rini e sport.