Komuna e Malishevës po vazhdon me fushatën e dezinsektimit kundër rriqrave, në zonat endemike.
Përmes një komunikate për media të martën, komuna ka njoftuar se pavarësisht rasteve të thumbimeve nga rriqrat, nuk ka raste deri tani të infektimit me virusin EHKK të cilin e bartin ato.
“Kjo fushatë është duke vazhduar dhe po realizohet sipas planifikimit në zonat që konsiderohen endemike dhe në zonat ku janë shënuar më shumë raste të thumbimeve nga rriqrat. Sipas shtabit komunal për menaxhimin e situatës me EHKK në Komunën e Malishevës, realizimi i fushatës së dezinsektimit, është duke vazhduar sipas planifikimit dhe deri më tani nuk janë shënuar pengesa në realizimin e dezinsektimit, si dhe kjo është pritur mirë nga ana e qytetarëve në vendbanimet ku është realizuar dezinsektimi”, thuhet në njoftim.
Komuna e Malishevës përballet me problemin e rriqrave çdo verë.