Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë të mos e dinë vlerën e saktë të dëmeve që janë shkaktuar nga breshri në kulturat bujqësore në disa vende të Kosovës.
Sipas zyrtares së lartë për komunikim me publikun në këtë Ministri, Albulena Maloku-Ahmeti, pas vlerësimit në terren nga komisionet komunale dhe raportet përmbledhëse i dërgojnë në MBPZHR.
“Fermerët në Republikën e Kosovës pothuajse çdo vit pësojnë dëme në kulturat e tyre bujqësore si pasojë e breshrit, vërshimeve që shkaktohen nga shiu, ngricat e vonshme pranverore, si dhe erërat e forta. MBPZHR-ja duke u bazuar në dëmet që shkaktohen në kulturat bujqësore nga fatkeqësitë natyrore, këtë problem e ka trajtuar si të një rëndësie të veçantë”, ka thënë Maloku-Ahmeti.
“Sivjet në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022, MBPZHR-ja do të mbështesë fermerët për subvencionimin e 75% të primit të sigurimit për këto kultura bujqësore: mollë, qershi, misër, fasule, dardhë, speca, kumbullë, mjedër, vishnjë, dredhëz, arrë, rrush, si dhe primin e sigurimit tradicional bujqësor për kulturën e mollës – pemishte intensive, specit – kultivimi intensiv, si dhe rrushit të verës”.
KOHA ka raportuar se për dëmet nga breshri që kanë pësuar fermerët e Komunës së Podujevës dy herë gjatë muajit qershor. Sipas zyrtarëve komunalë, Ministria nuk do t’i kompensojë derisa të miratojë ligjin e ri.
“Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë na është thënë se duhet të presim edhe pak muaj për shkak se është duke u hartuar Ligji i ri, i cili e përfshin edhe kompensimin e dëmeve për fermerët të cilët pësojnë nga fatkeqësitë natyrore dhe në rast se ky ligj mund të vonojë atëherë dëmi fermerëve do t’u kompensohet bazuar në Ligjin e vjetër”, ka thënë ditë më parë, Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.
Zyrtarët e MBPZHR-së nuk e kanë përmendur fare ligjin edhe pse janë pyetur për këtë.
“Ndërkaq, lidhur me dëmet e shkaktuara nga breshëri në disa zona të caktuara të vendit tonë, ju njoftojmë se në MBPZHR ende nuk kemi të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara. Për informacionin tuaj, të gjithë fermerët nga i gjithë territori i Republikës së Kosovës, të cilët pësojnë dëme në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore drejtohen në Drejtorinë Komunale për Bujqësi në komunën në të cilën ata jetojnë”, ka deklaruar Maloku-Ahmeti.
“Secila komunë i ka të formuara Komisionet Komunale për konstatimin e gjendjes në terren dhe vlerësimin e të gjitha dëmeve dhe më pastaj këto komisione përgatisin raporte përmbledhëse për dëmet për vitin 2022, e të cilat pastaj dorëzohen në MBPZHR. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e ka të formuar Komisionin, i cili pas pranimit të të gjitha raporteve përmbledhëse nga të gjitha komunat, e bën shqyrtimin e tyre”.
Por, Zhitia i ka thënë KOHËS se raporti i është dorëzuar Ministrisë së Bujqësisë dhe presin që këto dëme nga breshri t’ua kompensojnë fermerëve të Podujevës.