Arbëri

Pushteti e opozita në Podujevë me qëndrime të kundërta për Kornizën e viteve 2023-2025

Qëndrime të kundërta kanë shpërfaqur zyrtarë nga radhët e pushtetit dhe të opozitës në Podujevë, lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitet 2023-2025 në këtë komunë.

Zyrtarë nga Lidhja Demokratike kanë bërë të ditur se dokumenti, që e përcakton orientimin buxhetor të komunës për tre vjetët e ardhshëm, ngërthen shumë defekte.

Arjant Topanica, këshilltar komunal nga ky subjekt politik, ka shprehur vërejtje mbi mosspecifikimin e projekteve të parapara në Kornizë dhe për shpërfilljen e projekteve të tjera që i ka konsideruar të rëndësishme për komunën.

“Si vërejtje dhe defekte të kësaj Kornize Afatmesme Buxhetore ndër më kryesoret kanë qenë mosharmonizimi i saj me objektivat, qëllimet dhe planin zhvillimor të Komunës. Mandej ka qenë edhe mosspecifikimi i projektetve të caktuara, ku i kemi të paraqitura si rrugë, trotuare, ndriçime, por të paspecifikuara se ku do të jenë ato, ku do të shtrihen ato, në cilat fshatra, më saktësisht me emër të rrugës, nuk ka kësi lloj detajizimi”, tha Topanica.

Kjo është kundërshtuar nga drejtor për Buxhet dhe Financa në Podujevë, Fatlum Osmani.

“Të gjitha projektet, të cilat janë investime kapitale, kryesisht këto projektet madhore, siç është ndërtimi i rrugëve në qytet, rrugës ‘Skënderbeu’, ‘Xhemajl Mustafa’, unazës së qytetit, këto janë të specifikuara në emërtim, por dihet që në buxhet paraqiten vetëm emërtimet e projekteve. Kur bëhet fjalë për ndërtimin e disa rrugëve në fshatra, janë të specifikuar kodet buxhetore, emërtimi i rrugëve në x-fshatin, ku janë të përfshirë të gjitha fshatrat në investime në këtë Kornizë Buxhetore”, tha ai.

Krahas këtyre, këshilltari Topanica ka thënë se në dokument nuk është përfshirë as çështja e ujit, për të cilin ai ka kujtuar të ketë qenë një prej premtimeve elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje, sa ishte në opozitë.

“Në objektivat e komunës janë paraparë nga zhvillimi ekonomik, mandej rinia dhe të gjitha pikat tjera të zhvillimit të kësaj komune, e që nëse kthehemi dhe shikojmë në buxhet ato pika nuk janë të përfshira. P.sh. te zhvillimi ekonomik është thënë se do të ketë zhvillim ekonomik, mirëpo detajisht i paraparë me buxhet se si do të arrihet ky zhvillim ekonomik nuk ka të paraparë pika”, u shpreh Topanica.

Por të kundërtën e ka pretenduar drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunë, Fatlum Osmani. Ai ka thënë se për tre vjetët e ardhshëm janë paraparë të ndahen 1.1 milionë euro për rrjetin e ujit dhe ka shtuar se edhe në të kaluarën ka pasur investime simbolike.

“Te investimi në fushën e ekonomisë janë të planifikuara 300 mijë euro subvencione. 100 mijë euro për mbështetje të starapeve, për bizneset inovative të të rinjve dhe 200 mijë euro tjera në subvencionimin e kredive prodhuese, ku e kemi si orientim strategjik mbështetjen e prodhimit vendas, që besojmë se vetëm ngritja e prodhimit do të orientojë zgjidhjen e problemit thelbësor me të cilin përballet Komuna e Podujevës”, deklaroi Osmani.

Me gjithë vërejtjet nga opozita, drejtori për Buxhet dhe Financa ka theksuar se me Kornizën Afatmesme Buxhetore, buxheti për vitin 2023 është rritur për afro 4 milionë euro krahasuar me sivjet.

Dokumenti është miratuar me shumicë votash në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Podujevë.