Komuna e Lipjanit rrit tarifat e çerdhes publike

Kuvendi Komunal i Lipjanit ka miratuar të mërkurën tarifat e reja për qëndrim ditor të fëmijëve në çerdhen e vetme publike.
Propozim-vendimi i ekzekutivit për rritjen e çmimit nga 45 në 80 euro ka nxitur reagime të ashpra të opozitës.
Pas shumë debateve, në fund të mbledhjes është vendosur që për secilin fëmijë duhet të paguhet nga 60 euro në muaj për qëndrimin ditor.
Mbledhja është zhvilluar mes kritikash, akuzash e ofendimesh ndërmjet pozitës e pushtetit komunal.
Sipas kuvendarëve opozitarë, rritja e çmimit për qëndrim ditor të fëmijëve në çerdhe është e papërballueshme për prindërit në këtë kohë të krizës.
Fitim Mëziu, shefi i grupit të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, ka thënë se qytetarët duhet të kenë lehtësira në këtë kohë të krizës, e jo të rritet çmimi për çerdhen e fëmijëve. Sipas tij, për çdo ditë qytetarët po ankohen rreth këtij propozim-vendimi, i cili sipas Mëziut është i paarsyeshëm.
“Unë jam kundër ngritjes së këtyre tarifave, sepse kjo prapëseprapë do të ndikojë në xhepin tonë dhe të qytetarëve tanë. Realisht ne e dimë se ky është institucioni i vetëm parashkollor në komunën tonë dhe duke e marrë parasysh krizën financiare të përgjithshme, ndoshta do të ishte mirë që kjo të shtyhet më vonë”, ka thënë Mëziu.
Ndërkaq, Arsim Jashari, shef i grupit të asamblistëve të Partisë Demokratike, ka thënë se çmimi për qëndrim ditor të fëmijëve në asnjë mënyrë nuk duhet të rritet, për aq kohë sa pagat nuk lëvizin.
“Ne kemi pasur kërkesa të qytetarëve të njëpasnjëshme që çmimi të mos ndryshojë. Problemi është që keni ardhur me një kërkesë me tavanin e rritjes për 100 për qind pa ndonjë alternativë tjetër. Sikur të ishte një propozim tjetër për 30 apo 50 për qind kishim mundur të diskutojmë për të ardhmen. Por jemi në një krizë që nëse ju e dini se kur përfundon kriza, atëherë po ju mbështesim. Edhe te çështja e rrymës për institucionet publike, nuk është shtrenjtuar siç po jepen arsye nga ekzekutivi”, ka thënë Jashari.
Përplasje ka pasur edhe ndërmjet kuvendarit të LVV-së Alban Salihu dhe kryetarit të Komunës Imri Ahmeti. Salihu ka kërkuar që të synohet zbritja e çmimeve, në mënyrë që t’u lehtësohet qytetarëve kostoja që duhet të paguajnë për qëndrimin ditor të fëmijëve.
“Si ekzekutiv po tentoni të arrini barazinë duke i rritur çmimet. Kjo është e padrejtë dhe e paarsyeshme. Hajde të provojmë të rritim barazinë duke i zbritur çmimet dhe duke i bërë të përballueshme për të gjithë. Prandaj i ftoj të gjithë asamblistët që të votojnë kundër, sepse është propozim i paarsyeshëm”, ka thënë Salihu.
Sipas tij, propozimi i kryetarit të komunës po arsyetohej me ngritjen e çmimit të naftës dhe çmimit të energjisë elektrike.
“Konsiderojmë që ekzekutivi së bashku me kuvendin, duhet të gjejnë mekanizma të tjerë për mbulimin e shpenzimeve të çerdhes publike. Ndërkaq, çdo tendencë për ngritje të çmimit të pagesave do të nxitë pasiguri e dekurajim për prindërit e punësuar të cilët e kanë të domosdoshëm dërgimin e fëmijëve në kopsht. Andaj ky propozim është i paarsyeshëm dhe e rëndon buxhetin e qytetarëve të Komunës së Lipjanit, prandaj”, ka thënë Salihu.
Në anën tjetër, kryetari Ahmeti ka sqaruar se për nëntë vjet të qeverisjes së tij nuk është rritur asnjëherë çmimi i qëndrimit ditor në çerdhe, pavarësisht rritjes së standardit dhe ngritjes së çmimeve të tjera. Sipas tij, rregulloret për çerdhe të përcaktuara nga niveli qendror deri më tash kanë krijuar pabarazi për qytetarët, meqë vetëm ata prindër që janë në marrëdhënie pune kanë të drejtë t’i sjellin fëmijët në çerdhe.
“Dikur ka qenë 80 centë një litër vaj, e dini të gjithë, apo një litër naftë, por sot është 2 euro apo 3 euro se nuk e di as vetë sa është. Bëhuni pak më realë, shikojeni gjendjen ku jemi. Kjo 45 euro është më mirë të hiqet krejt dhe e dyta është gjynah për ata që po i detyrojmë të shkojnë në privat, prandaj duhet të mendohet edhe për pjesën tjetër. Ne nuk kemi mekanizëm për ta detyruar tregun e lirë, andaj ne kemi mekanizëm për ta ndërtuar një barazi qytetare”, ka thënë Ahmeti.
Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Komunën e Lipjanit, ka thënë se debati për tarifa të çerdhes duhet të përfundojë gjatë ditës dhe ka kritikuar opozitën, duke thënë se ishte ajo që i ka ftuar mediat për ta ndjekur debatin e zhvilluar në Kuvendin komunal për rregulloren që rrit çmimin për çerdhen.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komuna e Fushë-Kosovës shpenzon vetëm 4 për qind të mjeteve për projekte kapitale

Iu ndërruan tetë mësimdhënës, prindërit në Nasalë nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë

Brahimi: Ndaluam mbi 60 objekte të larta pa leje në Mitrovicë, nuk i frikësohemi askujt
