Arbëri

Stuhia dëmton pullaze e kultura bujqësore në disa fshatra të Gjilanit

Shtëpia e Nazmi Eminit nga Bresalci i Gjilanit ka mbetur pa kulm, të cilin ia ka shkulur stuhia e së martës mbrëma. Paralajmërimet për mot të keq e kanë shtyrë atë që me nxitim ta rregullojë pullazin.

“Dëmet janë shumë të mëdha. Kanë ndodhur me një shpejtësi shumë të madhe. Po shihen xhirimet çka janë këtu edhe sot me shpejtësi të madhe për me i mbulu shkaku i reshjeve përsëri. Dëmet janë të konsiderueshme, uji ka depërtuar edhe brenda, breshri, krejt dhomat janë kanë me ujë”, ka thënë Nazmi Emini, banor i fshatit Bresalc.

Dëme i janë shkaktuar edhe familjes së Hava Limanit nga i njëjti fshat. Sipas llogaritjeve të saj, ato janë afro 4 mijë euro.

“Ka ndodhur ky rast pak pa rënë terri, fati u kanë që gjithë kemi qenë brenda dëme në njerëz nuk ka bërë asgjë a dëme në bahçe sidomos e ka bërë rrafsh po e shihni edhe vetë, ka pasë dëme të mjaftueshme, ka edhe garazhe që i ka rrëzuar krejt e shumë gjëra janë bërë”, u shpreh Limani.

Pasojat e stuhisë i kanë ndier edhe banorët e fshatit Mramor të Komunës së Prishtinës.

Fehmi Gashi ka treguar se janë larguar edhe tjegullat e shtëpisë e janë shkulur edhe pemët.

“Ka qenë një frymë e madhe, breshër, erë e madhe, shi. E dëmtoj edhe serrën. 1800 fije kanë qenë krejt në serrë të mbjellne diku, 1000 janë domate, 800 speca, tranguj”, pohoi Gashi.

Në Komunën e Gjilanit thanë se do t’i ndërmarrin disa nga masat më emergjente në funksion të sanimit të dëmeve.

“Jemi në veprim që ta kthejmë jetën në normalitet, sidomos në fshatin e Bresalcit dhe në lagjet e Bresalcit po edhe në fshatrat e tjera, Cërrnicë, ku është bërë ndërprerja e rrymës. Do të thotë që të kthehet rryma elektrike, në mënyrë që njerëzit t’i vazhdojnë aktivitetet dhe jetën e tyre normale”, deklaroi Bejtullah Osmani, drejtor në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan.

Dëme materiale nga stuhia dhe breshri janë shkaktuar edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Ministria e Bujqësisë e ka të formuar komisionin i cili do të bëjë pranimin dhe shqyrtimin e raporteve të drejtorive komunale për bujqësi, për dëmet që janë shkaktuar nga stuhia.