Arbëri

Banorët e Papazit të Ferizajt në hall me ujërat e zeza

Descriptive Text

Banorët e fshatit Papaz të Komunës së Ferizajt prej më shumë se një vjet thonë se po përballen me kundërmim nga rrjedha e kanalizimit, e cila ka depërtuar mbi sipërfaqen e tokës shkaku i bllokimit të gypave.

Sipas banorëve, disa herë është njoftuar Komuna, por nuk janë marrë masa, ndërkohë me gjendje më të rëndë po përballet lagjja “Smail Sahiti”.

Kushtrim Osmani, banor nga fshati Papaz, ka thënë se disa herë është ankuar në Komunë, por askush nuk ka intervenuar për t’i riparuar defektet.

“Sa herë që ka të reshura të shiut sasia e ujërave të zeza rritët sepse gypat kryesorë janë bllokuar dhe ujërat e zeza kanë dalë mbi sipërfaqen e tokës. Ndërkohë tani derisa temperaturat janë rritur kemi kundërmim edhe më të madh. Me këtë gjendje jemi prej më shumë se një vjet, andaj tashmë është vështirësuar edhe jetesa jonë”, ka thënë Osmani.

Naser Beqiri, kuvendar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Ferizajt ka njoftuar se disa herë si opozitë kanë reaguar rreth keqmenaxhimit në rrjetin e kanalizimit. Sipas tij, Drejtoria për Shërbime Publike duhet të angazhohet më shumë për të bërë investime në riparimin e gypave.

“Si kuvendar kemi pranuar ankesa edhe nga banorët e fshatit Papaz, por edhe nga banorët e disa lokaliteteve për telashe me rrjetin e kanalizimit. Kjo është një papërgjegjësi dhe kërkohet me urgjencë të intervenohet për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve”, ka kritikuar Beqiri.

E Arben Halili, drejtor në Komunën e Ferizajt, ka thënë se disa herë është intervenuar në fshatin Papaz, sikurse edhe në disa lokalitete të tjera si Dardani Greme e të tjera, por sipas tij, prapë banorët po hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit.

“Ne gjithmonë dalim në terren pas kërkesave të qytetarëve dhe intervenojmë me kompaninë e ujësjellësit ‘Bifurkacioni’, por në ato lokalitete ku nuk menaxhohet ujësjellësi, atëherë kompania nuk i kryen shërbimet e mirëmbajtjes së kanalizimit. Ndryshe ne jemi në procedura për të intervenuar në disa lokalitete përmes kompanive që kontraktohen nga komuna. Pra së shpejti secila kërkesë dhe ankesë e qytetarëve do të shqyrtohet dhe nuk do të ketë hapësirë për shqetësime”, ka thënë Halili.