Arbëri

Podujeva synon ndryshimin e taksave komunale

Komunarët e Podujevës po synojnë të bëjnë disa ndryshime të çmimit të disa prej taksave, gjobave dhe tarifave komunale. Për këtë është përgatitur një draft i ri i Rregullores, që është vënë në diskutim publik. Drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka thënë se Rregullorja e vjetër për taksa, tarifa dhe gjoba komunale daton nga vitit 2018.

“Është parë e arsyeshme që kësaj rregulloreje t’i bëhen disa plotësim-ndryshime. Ne i kemi propozuar këto plotësim-ndryshme dhe propozojmë që kjo Rregullore të vihet në diskutim publik për një muaj ditë. Një pjesë dërmuese e kësaj rregulloreje vazhdon të mbetet e njëjtë, i ka disa ndryshime te taksat për ushtrimin e veprimtarisë, ku 98 për qind të bizneseve pothuajse janë të liruara nga kjo taksë, përjashtimisht disa biznese që konsiderohet se kanë një fitim shumë të lartë me bizneset tjera dhe është një taksë që konsiderojmë se është reale”, ka theksuar Osmani.

Sipas tij, është paraparë që të bëhet edhe një lehtësim te bizneset prodhuese, te lejet e ndërtimit, ku siç thotë ai, pothuajse e kanë larguar këtë taksë.

“Është vetëm një taksë simbolike. Ka edhe disa ndryshime, por sido që të jetë, të gjitha propozimet dhe vërejtjet mund t’i marrim edhe gjatë këtij muaji të diskutimit publik që ta plotësojmë dhe ta ndryshojmë me propozime që mund të jenë të arsyeshme”, ka thënë ai.

Në ditën kur është vënë në diskutim publik, ky draft i kësaj rregulloreje është përkrahur nga të gjitha grupet e partive politike, por përveç Vetëvendosjes tjerat subjekte kanë thënë se propozimet e vërejtjet do t’i japin gjatë diskutimit publik.

Këshilltari i VV-së, Xhevdet Maloku, ka kërkuar që për këtë vit të zbritet për 50 për qind taksa për bizneset e vogla dhe ato si gastronomia dhe qendrat tregtare me prejardhje llapjane.

“Kërkesa për subvencionim në bujqësi të jetë pa pagesë; Rregullore për organizimin e parkingjeve të Komunës, vendparkingjeve PPP (Publiko-Privat), rregullore që i mungon komunës sonë; Shërbimi i ri ‘mirëmbajtja e varrezave’ të merret parasysh edhe konsultimi me bashkësitë fetare në Podujevë; Të vendoset një çmim real (aktual) i tregut në momentin kur ndodh prerja e asfaltit nga ana e bizneseve për nevojat e tyre, meqë dihet që çmimi është rritur në krahasim me periudhën kur është vendosur çmimi aktual”, është shprehur këshilltari Maloku.

Sipas draft-rregullores së re, taksa më e lartë komunale vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste dhe për shërbime profesionale është për lojëra të fatit 3 mijë euro (për çdo filial). Nga 2 mijë euro është paraparë të paguajnë bankat, kompanitë e telekomunikimit-telefonisë mobile, kompanitë e shpërndarjes së internetit dhe rrjetit kabllor, terminalet doganore, qendrat e kontrollimeve teknike të automjeteve, qendrat tregtare mbi 2000m2, hotelet e restorante mbi 2000m2 dhe kompanitë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pastaj nga 1 mijë euro taksë komunale duhet të paguajnë kompanitë e sigurimit fizik të objekteve, qendrat tregtare 1000-2000m2 dhe hotelet e restorantet mbi 1000m2. Për tjerat kategori të bizneseve çmimi i taksës është paraparë 500, 100 e 50 euro. Kjo draft-rregullore parasheh edhe çmimet e çdo takse tjetër komunale, qoftë për leje ndërtimore, për paraqitjen e kërkesave, certifikatave, kurorëzimeve, etj. Në këtë dokument po ashtu janë paraparë edhe kategoritë të cilat lirohen nga kjo taksë e që janë shfrytëzuesit e skemave sociale dhe anëtarët e tyre të evidentuar në kartelë valide, familjet e dëshmorëve të luftës, të viktimave të luftës, të zhdukurve dhe të rënëve civilë, veteranët e luftës dhe të burgosurit politik, pastaj invalidët e luftës, ata të punës dhe personat e me nevoja të veçanta, organizatat joqeveritare për interesa të përgjithshme dhe bashkësitë fetare.