Arbëri

Graçanica dështon t’i prezantojë saktë 1.5 milionë euro

Komuna e Graçanicës

Komuna e Graçanicës nuk i ka pasqyruar saktë 1 milion e 530 mijë e 596 euro gjatë vitit 2021. Kjo është bërë e ditur në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) që për këtë komunë ka nxjerr opinion të kualifikuar.

Në raportin vjetor të saj, ZKA-ja thotë se bazë për këtë opinion janë nënvlerësimi i të arkëtueshmeve në shumën mbi 1 milion euro, keqklasifikimi i shpenzimeve, prezantimi jo i saktë e mbivlerësimi për disa kategorive tjera buxhetore.

Sipas Rregullores MF-Nr. 01/2017, për raportim vjetor financiar (RVF) nga organizatat buxhetore, neni 16 përcakton se, organizatat buxhetore që mbledhin të hyra janë të detyruara të mbajnë regjistra të të hyrave të mbledhura dhe shumave të faturuara e të paarkëtuara.

“Të arkëtueshmet shpalosen në raportin vjetor financiar në tabelën përkatëse sipas llojit të hyrave. Komuna në RVF kishte prezantuar llogaritë e arkëtueshme nga taksat për ushtrimin e veprimtarisë, vetëm të vitit 2021, në vlerë 228,270€, duke mos i prezantuar të përmbledhura edhe vlerat e paarkëtuara nga vitet e mëhershme, të cilat në shumë totale përfshirë edhe vitin 2021 do të duhej të raportoheshin 1,418,635€. Nga kjo rezulton se llogaritë e arkëtueshme janë të nënvlerësuara për 1,190,365€”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas të njëjtit, dobësitë e identifikuara për llogaritë e arkëtueshme, janë për shkak të kontrolleve të brendshme joefikase në menaxhimin dhe harmonizimin e vlerave nga regjistrat, përkatësisht shpalosjen e tyre në RVF.

Bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare e Auditimit, gjatë vitit 2021 në Komunën e Graçanicës ka pasur mbivlerësim të pasurive kapitale.

“Pagesat e mëposhtme ishin regjistruar si pasuri kapitale, duke mbivlerësuar regjistrin e pasurisë kapitale. Pagesat në vlerë 119,984€ dhe 10,000€, për furnizim me material ndërtimor është transfer kapital pasiqë përfituesit e materialit ndërtimor janë qytetarët me skema sociale; Pagesa në vlerë 50,000€, është transfer kapital e cila është bërë për blerjen e kamionit për bartjen e mbeturinave për Ndërmarrjen Publike Komunale; Pagesa në vlerë 20,102€ për furnizim me pajisje sportive i takon kategorisë mallra dhe shërbime”, thuhet tutje në raport.

Mangësitë e identifikuara lidhur me regjistrimet e pasurisë, sipas Auditorit, kanë ndodhur për shkak të dobësive të zyrtarëve të pasurisë në zbatimin e drejtë të kontrolleve të brendshme lidhur me pasuritë.

Komuna e Graçanicës mbivlerësim ka bërë edhe të detyrimeve kontingjente.

“Detyrimet kontingjente (5,313,030€), të prezantuar në nenin 18 të Raportit Vjetor Financiar (RVF) ishin të mbivlerësuar për 58,022€, sepse kjo vlerë e prezantuar ka të bëjë me padinë që ka bërë Komuna ndaj një zyrtari komunal dhe jo me ndonjë padi që është bërë kundër Komunës. Paraqitja e detyrimeve kontingjente në vlera jo të sakta ka rrjedhur si rezultat i mungesës së vëmendjes të zyrtarit i cili mbanë evidencat lidhur me detyrimet kontingjente si dhe nga pamjaftueshmëria e kontrollit të brendshëm nga zyrtari kryesor financiar për t'i verifikuar vlerat gjatë prezantimit të detyrimeve kontingjente në RVF”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, gjatë vitit 2021 komunarët e Graçanicës kanë bërë edhe keqklasifikim të shpenzimeve. Neni 18, paragrafi 3 i Rregulles Financiare nr.01/2013/MF për Shpenzimin e Parasë Publike, parasheh që shpenzimet duhet të kenë në kodet adekuate, të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për planin kontabël.

“Në planin kontabël të Thesarit janë përcaktuar kodet dhe kategoritë përkatëse të shpenzimeve që OB-të duhet t’i aplikojnë. Komuna kishte bërë keqklasifikim të shpenzimeve ku nga kategoria investime kapitale kishte paguar 28,796€, për shërbimet e dezinfektimit, dezinsektimit dhe deratizimit të objekteve dhe hapësirave publike në Komunën e Graçanicës të cilat për nga natyra i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime. Këto kishin ndodhur për shkak të planifikimit jo të mirë buxhetor dhe mungesës së mjeteve në kategoritë adekuate”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Bazuar në raportin vjetor thuhet se Komuna nuk kishte regjistruar pasurinë jokapitale në sistemin e-pasuria.

“Përveç kësaj kemi evidentuar gjithashtu se, 11 mostrat e testuara, në vlerë 53,327€, nuk ishin evidentuar në këtë regjistër. Mosregjistrimi i pasurisë jokapitale në sistemin e-pasuria, kishte ndodhur për shkak se sistemi nuk ishte funksional. Si dhe dobësive në kontrollet e brendshme nga zyrtarët e pasurisë lidhur me regjistrimin dhe prezantimin e plotë dhe të saktë të pasurive jo kapitale”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur edhe vonesa në lëshimin e lejeve ndërtimore, kryerje të punimeve jo në pajtim me paramasën dhe parallogarinë e kontraktuar, mospërgatitje të raportit të inventarizimit para përgatitjes të RVF-së dhe dobësi në menaxhimin e llogarive të arkëtueshme.