Arbëri

Podujeva me urdhëresë për mënyrën e shpenzimit të ujit, gjobë deri në 300 € për shkelësit

Descriptive Text

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka nxjerr të mërkurën, urdhëresë për mënyrën e përdorimit të ujit për pije nga rrjeti i ujësjellësit për sezonin veror. Në këtë urdhëresë parashihen edhe gjobat për shkelësit e saj.

“Në sezonin veror, prej datës 01.05.2022 deri më 15.10.2022 ndalohet shfrytëzimi i ujit nga rrjeti i ujësjellësit, për: 1.1. Larjen e automjeteve, rrugëve, trotuareve dhe vendeve publike; 1.2. Ujitjen e kopshteve, fushave me barë, pemëve apo ndonjë fushe të agrikulturës; 1.3. Për subjektet afariste të cilat ushtrojnë veprimtarinë e larjes së automjeteve”, thuhet në nenin 2 të këtij dokumenti.

Bazuar në urdhëresë, të gjithë konsumatorët e ujit janë përgjegjës të sigurojnë se pas pikës hyrësse, të gjitha pajisjet e ujit të jenë në funksion të plotë, duke përfshirë të gjitha rubinetet dhe pajisjet hidraulike brenda objekteve dhe pronave, si dhe pajisjeve që lidhen me sistemin kryesor të furnizimit me ujë për pije.

“KRU ‘Prishtina’-Njësia në Podujevë do të sigurojë funksionalitetin maksimal të rrjetit të ujësjellëit të ujit për pije, gjithashtu është e obliguar të përgjigjet menjëherë pa asnjë vonesë në çdo raportim të ndonjë defekti në sistemin e rrjetit të ujësjellësit dhe të bëjë riparimin në afatin sa më të shkurtër. Zbatimin e urdhëresës e bëjnë Drejtoria e Inspeksionit dhe KRU ‘Prishtina’-Njësia në Podujevë”, thuhet në nenin 4 e 5.

Neni pasues i përcakton edhe gjobat për shkelësit e kësaj urdhërese.

“1. Mosrespektimi i nenit 2, paragrafi 1.1 konsiderohet kundërvajtje dhe ndëshkohet me gjobë mandatore në shumën prej 100 euro; 2. Mosrespektimi i nenit 2, paragrafi 1.2 dhe 1.3 konsdiderohet kundërvajtje dhe ndëshkohet me gjobë në shumën prej 300 euro; 3. Nëse ndëshkimet e shqiptuara nuk përmbushen në afat prej 15 ditësh inspeksioni do të ndërmarë verprimet përkatëse ligjore”, thuhet tutje në këtë dokument.