Arbëri

Komuna e Fushë-Kosovës s’ua jep 100 eurot e premtuara të prekurve nga COVID-19

Asnjë qytetar i Komunës së Fushë-Kosovës i infektuar me virusin SARS-CoV-2 nuk ka përfituar shumën prej 100 eurove, ani se një vendim i vitit 2020 që Kuvendi Komunal e kishte marrë parashihte që Komuna t’ia shpërndante këtë shumë secilit që prekej nga pandemia.

Prej atëherë ka kaluar gati 1 vit e gjysmë, por vendimi nuk ka filluar të zbatohet.

Zyrtarë të Komunës së Fushë-Kosovës nuk kanë dhënë informacione mbi arsyet e moszbatmit të vendimit. Përgjigjet kanë munguar në pyetjet që KOHA i ka dërguar më 29 prill.

E, në opozitë kanë thënë se ky vendim ka qenë më shumë elektoral dhe se ekzekutivi nuk ka pasur për qëllim ta implementojë.

“Në dhjetor të vitit 2020 kemi marrë vendim në mënyrë unanime që t’u dilet në ndihmë me një shumë prej 100 eurove qytetarëve që janë prekur me COVID-19. Mirëpo, edhe përkundër faktit që nevoja edhe situata e kanë kërkuar dhe e kemi pasë obligim që t’iu dalim në ndihmë qytetarëve, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë. Pra, nuk ka përfituar asnjë qytetar”, ka thënë Durim Hajra, shef i Grupit të këshilltarëve të LVV-së në Fushë-Kosovë. “Ne i kemi ngritë dyshimet tona që ky vendim mund të jetë edhe më shumë vendim elektoral, për shkak që ishim në prag të zgjedhjeve lokale e që po del që ashtu edhe ka qenë. Ne në vazhdimësi e themi se në Komunën e Fushë-Kosovës ka keqplanifikim, keqmenaxhim të buxhetit, e kjo dëshmon se edhe përkundër faktit që ka bartje të 46 për qind të buxhetit, ekzekutivi nuk e ka bërë kompensimin ose nuk e ka zbatuar vendimin për t’i kompensuar qytetarët e prekur nga COVID-19”.

Vërejtje për moszbatimin e këtij vendimi ka dhënë edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë, Mirsad Qyqalla.

“Kuvendi Komunal ka marrë një vendim në shumë prej 600 mijë eurove për t’i ndihmuar të prekurit nga COVID-i, mirëpo, siç e dini edhe ju, Komuna jonë shquhet për mostransparencë, andaj edhe sot e kësaj dite ne nuk kemi hasur në një listë ku shihen përfituesit e kësaj shume që është ndarë. Ne siç e dimë pothuaj çdo i dyti ose i treti është i prekur nga COVID-i, mirëpo nuk ka rastisë me taku dikë që është përfitues i kësaj shume mjetesh që është ndarë për këtë qëllim”, ka theksuar Qyqalla.

Në vendimin e Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës të muajit dhjetor 2020 thuhet se lejohen mjetet financiare në shumën prej 100.00 eurove ndihmë për çdo qytetar të prekur me sëmundjen infektive të pandemisë COVID-19 të konfirmuar me testimin RT-PCR. Mjetet parashihej të ndaheshin nga buxheti i Komunës sipas programeve nëpër drejtoritë e Komunës, në përputhje me një numër kriteresh që ishin caktuar.

“Të gjithë qytetarët me vendbanim të përhershëm në Komunën e Fushë-Kosovës që rezultojnë të prekur pozitivë me virusin COVID-19, në listat zyrtare të raporteve ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës me testimin RT-PCR; Të gjitha familjet me vendbanim të përhershëm në Komunën e Fushë-Kosovës, anëtarët e të cilëve e kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me virusin COVID-19, e të cilët kanë qenë në listat zyrtare të raporteve ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës me testimin RT-PCR”, janë dy kritere të listuara në vendim.

Vendimi kishte efekt retroaktiv. Përfitues parashihej të ishin të prekurit që nga fillimi i pandemisë në muajin mars 2020 deri në përfundimin e pandemisë.

“Sigurimi i mjeteve për zbatimin e këtij vendimi në përputhje me mundësitë buxhetore nga të hyrat vetjake të bartura të vitit 2020 në vitin 2021 është në kompetencë të kryetarit të Komunës, Drejtorisë së Financave e Buxhetit dhe Drejtorisë së Shëndetësisë e Mirëqenies Sociale. Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në Zyrën e protokollit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe publikimin në gjuhë zyrtare në ueb-faqen e Komunës”, thuhet në pikat pasuese të vendimit.

Por, meqenëse nuk është zbatuar deri tash, nuk dihet se çfarë ka bërë ekzekutivi me mjetet që ishin paraparë për këtë qëllim.

Durim Hajra ka thënë se vendimi është ende në fuqi dhe ka kërkuar nga Qeveria komunale që të fillojë zbatimin e tij.